Vlera e detyrimeve të papaguara të bizneseve për sigurimet shoqërore u rrit në 270 mln euro vitin e kaluar, nga 250 milionë në vitin 2024. Për Drejtorinë e Tatimeve, ky zgjerim i stokut me 8% tregon se një pjesë e bizneseve private nuk paguajnë sigurimet ndaj punonjësve dhe shtetit.
Shifrat tregojnë se në vitet 2022-2025, stoku i detyrimeve të prapambetura në formën e sigurimeve shoqërore është rritur me 28%.
Shkak kryesor i këtij trendi negativ mund të jetë rënia e likuiditetit në duart e bizneseve, e ndikuar nga rritja e kostove operative, sidomos rritja e njëanshme e pagës minimale dhe asaj mesatare ka krijuar një hendek mes faturës së detyrimeve dhe aftësisë paguese të ndërmarrjeve. Shumë biznese, përballë vështirësive financiare, zgjedhin të paguajnë pagën neto për të mbajtur stafin, duke lënë pas dore derdhjen e kontributeve, çka çon në shtimin e borxhit vit pas viti.
Një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e këtyre detyrimeve lidhet me penalitetet dhe kamatëvonesat që akumulohen mbi borxhin ekzistues. Rritja e numrit të bizneseve që hyjnë në proces falimenti ose që pezullojnë aktivitetin pa shlyer detyrimet e mëparshme, kontribuon drejtpërdrejt në këtë shifër.
Pasojat e kësaj ecurie janë serioze për bizneset, dhe per skemën e mbrojtjes sociale.
Bizneset do të ekspozohen më shumë ndaj gjobave, bllokimit të llogarive bankare dhe pamundësi për të marrë pjesë në tenderë publikë apo për të përfituar kredi bankare.
Për punëmarrësit, rritja e detyrimeve të papaguara krijon vonesa ose mangësi në vitet e sigurimit, duke rrezikuar pensioet e plota.













