Si të ruajmë shëndetin nga i ftohti dhe ngricat

Gjatë dimrit, organizmi dhe zemra punojnë më shumë për të përballuar të ftohtin. Kjo mund të jetë veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit dhe të sëmurët kronikë. Nëse qëndroni gjatë në të ftohtë, temperatura trupore mund të bjerë nën 35° C e me kalimin e kohës organizmi nuk funksionon më siç duhet duke rrezikuar shëndetin; shkakton ngushtim të enëve të gjakut dhe përshpejtim të ritmit të zemrës. Gjatë qëndrimit jashtë, pjesët më të ekspozuara si koka, këmbët e duart mund të ngrijnë. Në fillim ato humbasin ndjeshmërinë, skuqen dhe dhembin, e më pas ngrijnë duke u bërë gri dhe të padhimbshme. Nëse kryeni sforcim fizike në ambiente të jashtme, rrezikoni të përkeqësoni sëmundjet e zemrës.

Dimri dhe temperaturat e ftohta mund ta dëmtojnë shëndetin tuaj, por ju mund të jeni mirë nëse ndiqni këto këshilla:

• Vishuni ngrohtë dhe përdorni shall, doreza dhe kapuç kur jeni në ambiente të jashtme dhe të ftohta.

• Evitoni të qëndroni gjatë në ambiente të jashtme në ditët e ftohta, me erë dhe sidomos kur jeni të lagur.

• Evitoni të dilni jashtë në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës.

• Ecni me kujdes e me hapa të vegjël dhe duart jashtë xhepave.

• Ushqehuni me ushqime të ngrohta e të lëngshme të përbëra nga mishi, bishtajoret, perimet, drithërat, por edhe fruta që përmbajnë vitamina dhe minerale.

• Pini sa më shumë ujë dhe lëngje, sidomos nëse jeni të sëmurë dhe qëndroni vazhdimisht në shtëpi.

• Qëndroni në ambiente të ngrohta dhe të ajrosura herë pas here. Temperatura ideale për ambientin e brendshëm është 20-23° C, dhe ajrosja duhet të bëhet disa herë për të siguruar lagështinë e duhur për rrugët e frymëmarrjes dhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi.

Mund të mbani një enë me ujë tek radiatori për të siguruar lagështinë e ajrit. Sigurohuni gjithashtu që dyert dhe dritaret të jenë të izoluara sa më mirë. Edhe mbingrohjet e shtëpisë mund të jenë të dëmshme ashtu si dhe ngrohjet medru apo gaz, që mund të çlirojnë gazra të dëmshme për organizmin. Ndaj duhet që ambientet e brendshme të ajrosen mirë disa herë gjatë ditës, dhe të siguroheni që nuk keni rrjedhje gazrash.

Burimi: Instituti i Shëndetit Publik