Si të mbyllim hendekun mes arsimit e tregut të punës

Në Shqipëri ekziston një hendek i madh midis arsimit dhe nevojave të tregut të punës, duke lënë shumë të rinj pa mundësi punësimi, edhe pse me diploma. Kurrikulat e bazuara kryesisht në teori nuk ofrojnë aftësi praktike, ndërsa sipërmarrjet kanë si shqetësim kryesor mungesën e punonjësve të kualifikuar. Ekspertët e arsimit shikojnë si zgjidhje zhvillimin e arsimit dual, me një bashkëpunim më të ngushtë të industrisë me universitetet.

Hendeku ndërmjet arsimit dhe nevojave të tregut të punës në Shqipëri është një problem që nuk ka mundur të zgjidhet në të gjithë periudhën e tranzicionit. Në vitin 2024, rreth 19,000 persona me arsim të lartë ishin të papunë të regjistruar në zyrat e punës, ndërsa mijëra të tjerë janë të dekurajuar.

Vetëm një pjesë e vogël e të diplomuarve gjen punë që përputhet me profilin e tyre, ndërsa pjesa tjetër ose mbetet e papunë, ose punon në pozicione që nuk kërkojnë kualifikime universitare.

Arsyeja kryesore e këtij hendeku qëndron në metodologjinë e mësimdhënies dhe përmbajtjen e kurrikulave akademike, të cilat janë shpesh të bazuara në teori dhe nuk sigurojnë aftësi praktike dhe teknike që kërkohen nga punëdhënësit.

Shumë të rinj ende zgjedhin fusha studimi që nuk korrespondojnë me nevojat e zhvillimit ekonomik, ndërsa sektorë që kërkojnë aftësi teknike ose digjitale mbeten me mungesë fuqie punëtore.

Ekspertët e arsimit propozojnë se kjo situatë mund të përmirësohet duke aplikuar sistemin dual të arsimit në arsimin e mesëm profesional dhe në atë të lartë, që do të thotë që nxënësit të ndajnë njohuritë ndërmjet shkollës dhe punës në të njëjtën kohë.

Ish-ministri i Arsimit, Prof. Myqerem Tafaj, në një analizë të posaçme për “Monitor”, vuri në dukje se oferta e tanishme e sistemit tonë arsimor me programe të arsimit të mesëm dhe të lartë profesional është e pamjaftueshme në raport me kërkesat e sipërmarrjes, si për punëtorë të kualifikuar dhe teknikë të mesëm, ashtu edhe për specialistë të nivelit Bachelor dhe Master profesional.

Por sot, sipas zotit Tafaj, disa industri dhe sektorë të vendit tonë janë të zhvilluara e të fuqizuara mirë, si sektorët e ndërtimit, ushqimit, turizmit, IT, bankave dhe energjisë. Këto industri janë edhe të mirorganizuara në Shoqata/Unione/Dhoma relativisht të konsoliduara.

Kanë potencial për investime, çka u jep atyre mundësinë të bëhen aktorët kyç në zhvillimin e arsimit të mesëm dhe të lartë profesional në vendin tonë, për përgatitjen e forcave të kualifikuara të punës të të gjithë niveleve (punëtorë të kualifikuar, teknikë të mesëm dhe specialistë të lartë).

Investimet e pamjaftueshme në zhvillimin e aftësive të punonjësve dhe pjesëmarrja e ulët në trajnim të mëtejshëm kanë bërë që një e pesta e të rinjve në vendin tonë të mos jenë as në punë, as në shkollë.

Historia ka treguar se kombet që investojnë në arsimin, shëndetin dhe punësimin e të rinjve kanë zhvillim të qëndrueshëm në afat të gjatë dhe më shumë shanse për të rritur mirëqenien se vendet e tjera që zgjedhin, p.sh., të investojnë në infrastrukturë fizike. Gjermania është shembulli më i prekshëm.

Përmes një strategjie në sistemin e arsimit profesional, ajo nxiti dhe krijoi një ekonomi të fuqishme dhe të specializuar në industri. Sistemi gjerman përgatiti të rinjtë për pozicione pune të mirëpaguara, bazuar në shkollimin teorik dhe praktik, çka e bëri vendin konkurrues në botë për prodhime industriale me vlerë të lartë.

Vende të tjera si Koreja e Jugut, Finlanda, Singapori dhe Kanadaja kanë përjetuar zhvillim të shpejtë ekonomik falë fokusit te të rinjtë. Por Shqipëria, e cila trashëgoi nga komunizmi ndoshta kapitalin më të çmuar – “dividentin demografik”, një popullsi të re në moshë – nuk e shfrytëzoi me maturi këtë potencial.

Gjatë 34 viteve të tranzicionit, të dëshpëruar nga mungesa e mundësive për punësim, arsimi i papërshtatshëm, korrupsioni i lartë, mungesa e meritokracisë dhe kostot e larta të strehimit, të rinjtë shqiptarë kanë humbur shpresën, duke zgjedhur në mënyrë masive emigrimin si zgjidhje për të ardhmen e tyre.

Të dhënat e Censit 2023 tregojnë se grupet e reja në moshë kanë shënuar rënie drastike në raport me popullsinë e përgjithshme. Në periudhën ndërmjet dy censeve, nga 2011 deri më 2023, popullsia e vendit shënoi rënie me rreth 14%, ndërsa të rinjtë (15-29 vjeç) u pakësuan me 39%.

Programet duale në arsimin e lartë në Europë funksionojnë si një model që kombinon mësimin akademik në universitet me punën praktike në një kompani.

Bashkë me teorinë në universitet, studentët përfshihen paralelisht edhe në punë reale në ndërmarrje. Gjatë vitit, ata kalojnë periudha të caktuara në universitet dhe periudha të tjera në kompani, duke alternuar mësimin me praktikën sipas një kalendari të paracaktuar.

Në Europë, sidomos në Gjermani, ky model është shumë i zhvilluar dhe i institucionalizuar. Universitete si HSBA apo DHBW e kanë strukturën e studimit të ndërtuar posaçërisht mbi këtë alternim.

Semestrat janë të ndarë në blloqe ku një pjesë është e fokusuar në teori dhe pjesa tjetër në punë praktike.

Për kompanitë, ky model është një mundësi për të marrë të rinj që trajnohen sipas nevojave të tyre dhe që zakonisht punësohen më pas me një kosto më të ulët trajnimi.

Për studentët, modeli dual u jep përvojë pune të vërtetë, aftësi profesionale që kërkohen në treg dhe krijon një lidhje të drejtpërdrejtë me punësimin, shpesh që para se të diplomohen.

Programet duale ndihmojnë edhe universitetet të qëndrojnë të lidhura me realitetin ekonomik, sepse kurrikulat e tyre ndërtohen në bashkëpunim me industrinë.

Kjo i bën studimet më të aktualizuara dhe më të përshtatshme me kërkesat e tregut. Ky model gjithashtu po zgjerohet në vende të tjera europiane, ku ka nisma për të forcuar bashkëpunimin mes universiteteve dhe bizneseve dhe për të reduktuar hendekun midis arsimit dhe tregut të punës.

Zoti Tafaj thotë se duhet një aleancë reale ndërmjet shtetit, biznesit dhe universiteteve për të bërë aktive programet duale. “Deri tani pranohet nga të gjithë aktorët se kjo Aleancë është e domosdoshme.

Por qeverisë i takon lidershipi për krijimin dhe funksionimin e kësaj Aleance.

Ajo duhet të krijojë disa parakushte të tjera që e mundësojnë këtë rol të ri të sipërmarrjes, duke filluar me përmirësimet e duhura në kuadrin ligjor të arsimit profesional dhe sidomos të arsimit të lartë, deri te rregullimet nxitëse financiare”, tha ai.

Sipas tij, modelet ekzistojnë dhe janë përshtatur edhe në vende të tjera të Ballkanit (p.sh., Serbia ka përshtatur plotësisht modelin e Zvicrës për arsimin dual).

Këto rregullime duhet të prekin edhe organizimin dhe funksionimin e shkollave dhe arsimit të lartë, që ofrojnë programe të arsimit profesional dual.

Sipas tij, do të ishte një zgjidhje më e mirë hartimi i një ligji të veçantë për arsimin e mesëm dhe të lartë profesional. Qeveria ka deklaruar disa herë se do të bëjë ndryshime në kuadrin ligjor të arsimit të lartë.

“Nëse nuk do të konsiderohet opsioni i një ligji të veçantë për arsimin e mesëm dhe të lartë profesional dual, ndryshimet e ligjit të arsimit të lartë duhet të rregullojnë plotësisht edhe arsimin e lartë profesional, përfshirë format duale të tij”, tha ai.

Aftësitë e punonjësve shqiptarë: vetëm 37% e BE-së

Një raport i Organizatës Ndërkombëtare për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) tregoi se aftësitë mesatare të punëtorëve shqiptarë arrijnë vetëm 37% të nivelit mesatar në Bashkimin Europian.

Kjo tregon se, edhe nëse një person ka diplomë, ai shpesh nuk ka aftësitë e duhura për kërkesat që ofrohen në shumë sektorë.

Nga ana tjetër, struktura e tregut të punës në Shqipëri po ndryshon drejt vendeve që kërkojnë dhe përdorin kualifikime të larta.

Një studim i fundit nga Banka Botërore tregoi se rritja e vendeve të punës për profesionistë me kualifikime të larta (high‑skill jobs) ka qenë shumë më e ngadaltë në dekadat e fundit krahasuar me punët me kërkesa më të ulëta për aftësi.

Modelet e vendeve të zhvilluara tregojnë shumë mënyra se si sipërmarrjet mund të ndikojnë në rritjen e aftësive. Bizneset mund të përfshihen direkt në procesin mësimor.

Kjo mund të përfshijë zhvillimin e moduleve praktike, punë praktike në kompani, ose projekte bashkëpunimi që simulojnë situata reale të punës.

Kur të rinjtë trajnohen në këtë mënyrë, ata dalin nga shkolla me aftësi të përdorshme, gjë që ul hendekun midis arsimit dhe tregut të punës.

Sipërmarrjet gjithashtu mund të ofrojnë burime materiale dhe teknologjike për shkollat dhe universitetet, p.sh., pajisje moderne, laboratorë praktikë dhe programe software, duke sjellë standarde më të larta mësimdhënieje.

Një tjetër mënyrë është krijimi i programeve të mentorimit dhe praktikave profesionale. Sipërmarrjet mund t’u ofrojnë të rinjve mundësi për të kaluar periudha të shkurtra pune ose praktike, ku ata përballen me sfida reale dhe mësojnë të punojnë në një ambient profesional.

Përveç kësaj, sipërmarrjet mund të angazhohen në trajnime të vazhdueshme për mësuesit dhe pedagogët, duke i njohur ata me teknologjitë dhe metodat më të fundit që përdoren në industri.

Kur mësuesit janë të përgatitur dhe të përditësuar me praktikat e tregut, ata mund të përforcojnë mësimin me shembuj praktikë dhe teknika të reja që lidhen me punën reale./MONITOR