DURRËS, 22 TETOR 2025 – Detaje të reja kanë dalë në dritë mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi rreth orës 01:45 të mëngjesit të sotëm në Manëz të Durrësit, ku dy persona humbën jetën pas një konflikti që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.
Viktimat janë identifikuar si shtetasit Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz. Sipas burimeve hetimore, përplasja mes tyre ka nisur në një lokal të zonës, pas një sherri të momentit me kamerierin e lokalit. Njëra prej palëve është përfshirë në debat me kamerierin, ndërsa pala tjetër ka ndërhyrë duke përshkallëzuar situatën.
Ky konflikt verbal ka degjeneruar në një përplasje fizike dhe më pas në përdorimin e armëve të zjarrit, që përfundoi me dy të vdekur. Nga hetimet paraprake dyshohet se Flori Paluçi është qëlluar për vdekje nga D.P., 21 vjeç, ndërsa Aranit Kurti është vrarë nga vetë Paluçi gjatë momentit të përplasjes.
Policia e Durrësit ka ngritur një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorit, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për kapjen e autorit të dyshuar D.P. Ndërkohë, kontrollet po vijojnë në të gjithë zonën për të siguruar çdo provë që mund të ndihmojë në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje tragjike.
