Si mund të njihet vjetërsia e punës në ish-kooperativat bujqësore, eksperti i pensioneve zbulon dokumentet e nevojshme

Eksperti i pensioneve, Kujtim Hoxha, i ftuar në studion e emisionit “Koha për t’u zgjuar” në News24, ka folur për mënyrën se si qytetarët mund të njohin vjetërsinë e punës në ish-kooperativat bujqësore, veçanërisht në rastet kur mungon dokumentacioni zyrtar.

Sipas Hoxhës, ligji parashikon procedura të posaçme për njohjen e periudhës së punës në kooperativat bujqësore që nuk ekzistojnë më dhe nuk kanë ruajtur dokumentet përkatëse. “Ka një ligj për njohjen e vjetërsisë së punës në ish-kooperativat bujqësore që nuk kanë dokumente. Për këtë parashikohet plotësimi i disa dokumenteve që të verifikohet me certifikatë familjare se personi ka qenë pjesë e territorit të kooperativës përkatëse,” u shpreh ai.

Eksperti theksoi se arsimi i ndjekur nga qytetari ndikon në përllogaritjen e vjetërsisë. “Nëse qytetari ka kryer arsimin e mesëm natën, nuk mund të përfitojë ditë pune për periudhën që ka qenë në shkollë; periudha e punës llogaritet vetëm pas përfundimit të shkollës,” sqaroi Hoxha.

Përveç kësaj, është e nevojshme të sigurohen disa dokumente shtesë, si gjendja familjare në datën 1 gusht 1991, si dhe një vërtetim për përfitimin e tokës sipas ligjit 7501, nëse personi ka përfituar tokë nga ky ligj.

Në përfundim, Kujtim Hoxha theksoi se me plotësimin e këtyre dokumenteve, qytetarët mund të kenë të njohur vjetërsinë e punës që nga përfundimi i shkollës e deri në mbylljen e kooperativave bujqësore, duke përfituar kështu në mënyrë të drejtë nga skema e pensioneve.