Elbasan, 1 korrik 2025 – Banorët e fshatit Shushicë dhe zonave përreth, përfshirë nxënës dhe studentë, kanë firmosur një peticion publik ku kërkojnë vendosjen e një linje urbane të transportit publik që të lidhë fshatin me qytetin e Elbasanit.
Kërkesa e tyre vjen pas dyfishimit të çmimit të biletës nga shërbimi aktual i furgonëve, duke e bërë transportin ditor të papërballueshëm për shumë familje.
“Ne udhëtojmë çdo ditë për shkollë apo punë në Elbasan. Me çmimet e reja nuk ia dalim më. Kërkojmë ndihmën e bashkisë,” – u shpreh një banore e fshatit.
Sipas banorëve, mungesa e një linje të rregullt urbane i detyron ata të varen nga furgonët privatë, të cilët shpesh nuk respektojnë orare fikse dhe aplikojnë çmime të larta, veçanërisht gjatë fundjavave apo ditëve me fluks udhëtarësh.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përkatëse dhe Bashkisë Elbasan që të ndërhyjnë sa më parë për të siguruar një zgjidhje të qëndrueshme dhe të përhershme të këtij problemi, duke vendosur një shërbim të rregullt urban, me çmime të arsyeshme dhe të aksesueshme për të gjithë.
