Një 26-vjeçar shqiptar është arrestuar ditën e sotme në Athinë, pasi ka bërë manovra të rrezikshme me makinën e tij, duke rrezikuar jetën e qytetarëve.
Gjithçka ka nisur teksa shqiptari ishte duke lëvizur me makinë dhe ka hasur në një postobllok, në të cilin policia i ka bërë me shenjë që të ndalonte. Megjithatë, i riu shqiptar nuk është bindur dhe është larguar me shpejtësi.
Në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë greke, ai ka bërë manovra të rrezikshme duke përplasur dhe një person. Në videon e mëposhtme shihet momenti kur ai përplas këmbësorin, makinën e policisë dhe një tjetër mjet të parkuar. Më pas dëgjohen të shtënat e policisë drejt gomave të mjetit të tij për ta neutralizuar.
Ndjekja ka ndodhur gjatë ditës së sotme në qendër të Athinës, duke shkaktuar shqetësim të madh tek të gjithë ata që ndodheshin në vendngjarje.
Si përfundim, makina arriti të largohej por jo për shumë kohë. Pak momente më vonë, i riu është ndalur dhe arrestuar në rrugën Nirvanas. Sipas informacioneve, në bagazhin e mjetit u gjetën 15 kilogramë kanabis.













