Përfaqësues të komunitetit mysliman dhe shoqërisë civile kundërshtuan projektligjin për shëndetin seksual dhe riprodhues që pas konsultimit publik pritet të kalojë për diskutim në Parlament.
U protestuan tema të ndjeshme për shoqërinë shqiptare sic janë aborti, sterilizimi apo surrogacia të cilat sipas protestuesve dëmtojnë themelet e familjes.
Surrogacia apo bërja nënë duke përdorur mitrën e një gruaje tjetër, ndërprerja e shtatzënisë në moshën 16-vjeçare edhe pa dijeninë e prindit dhe sterilizimit i të rinjve sipas tyre çojnë familjen drejt zhdukjes.
“Baza e shoqërisë është familja dhe kjo lëvizje nuk ka për qëllim asgjë tjetër veç shkatërrimit të saj. Familja Shqiptare është e kërcënuar dhe ky lloj devijimi është skandaloz”- u shpreh një përfaqësuese e komunitetit mysliman.
“Kemi dalë këtu në mbrojtje të familjes e cila është bërthama e shoqërisë për të protestuar iniciativa të tilla të cilat venë në rrezik këtë të fundit. Për një komunitet dhe shoqëri të shëndetshme duhet të ruajmë me fanatizëm familjen e shëndetshme”- u shpreh për mediat një qytetar.
Juristi Gentian Sejrani e përqëndroi fjalën e tij, duke argumentuar efektet që do të ketë surrogacia te vajzat që vijnë nga shtresat në nevojë. Gjithashtu ai e sheh me rrezik “porositësit” e fëmijëve që do të vijnë nga Ukraina në situatë lufte, si një nga vendet e cila e ka legjitimuar surrogacinë.
“ Surrogacia është ai lloj veprimi që ndoshta do të marrë në qafë vajzat dhe gratë që kanë probleme financiarë. Duke ditur Ukrainën tashmë që është në proces lufte, e gjithë vëmendja e atyrë që duan të bëjnë porosi për fëmijët e tyre do të jetë në Shqipëri”, u shpreh juristi.
