Bruksel, 12 shkurt 2026 – Kombëtarja shqiptare ka mësuar kundërshtarët e saj për edicionin 2026/27 të UEFA Nations League, pas shortit të hedhur sot në ceremoninë zyrtare në Bruksel. Kuqezinjtë, që do të garojnë në Ligën C, do të përballen me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon.
Në letër, shorti konsiderohet relativisht i favorshëm për Shqipërinë, pasi shmangu kundërshtarë më të fortë si Sllovakia apo Bullgaria. Megjithatë, objektivi për rikthimin në Ligën B kërkon përqendrim maksimal dhe rezultate të qëndrueshme në të gjitha ndeshjet.
Rivali më i fortë i grupit pritet të jetë Finlanda. Historiku i përballjeve mes dy skuadrave favorizon nordikët, të cilët kanë katër fitore ndaj dy të Shqipërisë në shtatë ndeshje, ndërsa një takim ka përfunduar në barazim. Me një golavarazh 6-8, Finlanda mbetet pengesa kryesore në garën për vendin e parë.
Ndaj Bjellorusisë, bilanci është më i balancuar. Në shtatë përballje, Shqipëria ka tre fitore, Bjellorusia dy dhe dy ndeshje kanë përfunduar në barazim, me golaverazh të barabartë 10-10. Kujtimet më të fundit janë pozitive për kuqezinjtë, të cilët në vitin 2020 siguruan ngjitjen në Ligën B pikërisht ndaj këtij kundërshtari.
Nga vazoja e katërt, Shqipëria do të përballet me San Marinon, një kundërshtar që në letër ofron mundësinë për pikë maksimale. Në katër ndeshje të mëparshme, kuqezinjtë kanë regjistruar katër fitore, me 13 gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.
Objektivi i Shqipërisë është i qartë: vendi i parë në grup, i cili siguron rikthimin në Ligën B dhe rrit shanset për një rrugë alternative drejt kualifikimit në Euro 2028 përmes play-off-it.
UEFA do të aplikojë një format të ngjeshur për këtë edicion. Katër ndeshjet e para do të luhen në një periudhë të shkurtër nga 24 shtatori deri më 6 tetor 2026, ndërsa dy takimet e fundit do të zhvillohen në muajin nëntor. Ky kalendar kërkon një skuadër me thellësi në stol dhe përgatitje të lartë fizike për të përballuar ritmin e lartë të ndeshjeve.















