Shqipëria mposht Moldavinë 2 me 0 në Air Albania

TIRANE- Kombëtarja shqiptare merr fitoren e parë në kualifikueset e Euro 2024. Në “Air Albania Stadium”, ku bëri debutimin trajneri Sylvinho, skuadra kuqezi nën mbështetjen e madhe të tifozëve që kishin mbushur shkallët e impiantit, iu imponua Moldavisë me rezultatin 2-0.

Pjesa e parë u mbyll me barazimin 0-0, me kombëtaren shqiptare u pa superiore ndaj Moldavisë duke e mbajtur mbyllur në gjysmëfushën e saj. Kuqezinjtë i patën rastet e tyre me Ismajlin e Ramadanin, gjuajtjet e të cilëve u pritën nga portieri moldav, por rastin më flagrant për kuqezinjtë e pati Cikalleshi që u ndal nga tramversa, ndërkohë që tentoi edhe Bare, gjuajtja e të cilit u ndal nga gardiani kundërshtar.

Edhe pjesa e dytë nisi me kombëtaren në sulm që arriti të marrë avantazhin 1-0 në rezultat me Jasir Asani që shënoi golin e tij të parë, në ndeshjen e dytë me fanelën kuqezi, ndërkohë që tifozët në shkallët e “Air Albania Stadium” e ndezën akoma më shumë atmosferën. Kombëtarja vijoi të mbajë lojën në kontroll dhe në minutën e ’75, Nedim Bajrami çoi sërish në peshë tifozërinë kuqezi, teksa shënoi golin e dytë për skuadrën tonë përfaqësuese.

Në minutat e mbetura nuk ndryshuan historitë e ndeshjes, e cila u mbyll me fitoren mëse të merituar të kuqezinjve 2-0, të cilët ngjiten në kuotën e 3 pikëve pas 2 ndeshjeve dhe tani do të nisin përgatitjet për sfidën e radhës në transfertë me ishujt Faroe.