Shqipëria renditet e para në botë për barazinë në paga mes grave dhe burrave, sipas raportit të vitit 2025 të Forumit Ekonomik Botëror për barazinë gjinore.
Vendi ynë kryeson për nën-treguesin “Barazia në paga për punë të njëjtë”, pjesë e treguesit “Pjesëmarrja Ekonomike dhe Mundësitë” – një nga katër shtyllat kryesore të indeksit të barazisë gjinore, së bashku me “Arsimin”, “Shëndetin dhe Mbrojtjen” dhe “Fuqizimin Politik”.
Sipas raportit, Shqipëria ka arritur të mbyllë 93.1% të hendekut gjinor në paga, që do të thotë se gratë shqiptare paguhen mesatarisht 93.1% të pagës që marrin burrat për të njëjtën punë – përqindja më e lartë në botë. Në vend të dytë renditet Islanda, me një përqindje prej 85.1%.
Ky tregues bazohet në një anketim me mbi 11,000 drejtues biznesi në 123 vende, të organizuar nga Forumi Ekonomik Botëror. Pyetja bazë që u drejtohet është: “Në vendin tuaj, për punë të njëjtë, në çfarë mase gratë paguhen njësoj si burrat?” Përgjigjet në një shkallë nga 1 në 7 përkthehen në një indeks nga 0 në 1, ku 1 përfaqëson barazi të plotë dhe 0 mosbarazi të plotë.
Shqipëria kryeson Ballkanin për barazinë në paga
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria shënon rezultate dukshëm më të larta krahasuar me fqinjët: Serbia mbyll 64% të hendekut gjinor, Mali i Zi 66.3%, Bosnjë-Hercegovina 60.8%, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm 54.6%, duke qenë e fundit në Europë. Kosova nuk përfshihet në të dhëna. Italia është e parafundit në kontinent me vetëm 55%.
Gratë në pozita drejtuese në Shqipëri paguhen më shumë se burrat
Megjithëse në përgjithësi burrat në Shqipëri vazhdojnë të kenë paga më të larta, të dhënat e INSTAT për vitin 2023 tregojnë përparësi për gratë në pozita drejtuese. Paga mesatare për gratë ishte 68,200 lekë – 6.2% më pak se paga e burrave prej 72,700 lekësh.
Megjithatë, nga 36 grup-profesione të raportuara, në 5 prej tyre – përfshirë drejtuesit administrativë, ligjvënësit dhe profesionistët e elektro-teknologjisë – gratë paguhen më shumë se burrat, pra në rreth 14% të profesioneve.
Veçanërisht në grupin “Drejtues administrativë dhe komercialë”, gratë marrin një pagë mesatare prej 201,000 lekësh në muaj – 7.2% më shumë se burrat në të njëjtën kategori, të cilët marrin 188,000 lekë. Ky është njëkohësisht grupi më i paguar në vend.
Edhe në sektorin shtetëror, gratë janë në avantazh. Në kategorinë “Ligjvënës dhe drejtues të administratës publike”, gratë marrin mesatarisht 108,000 lekë në muaj, ose 6% më shumë se burrat në të njëjtin nivel.
