TIRANË- Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi që është dhe kryesuesi i draftit të Kodit të ri Penal ka deklaruar se diskutimi publik është i rëndësishëm për draftin e Kodit të ri Penal. Gjatë fjalës së tij në tryezën e dytë të prezantimit teknik të draftit, Rakipi ka deklaruar shpifja është një nga veprat që nuk duhet të depenalizohet. Ndërkohë që theksoi se eutanazia dhe prostitucioni janë nga veprat që duhet të depenalizohet.
“Në këtë kuptim, dua të shpreh gjithë vullnetin dhe nevojën tonë që kontributi përgjatë këtij procesi të jetë i të gjithëve. Ky proces nuk ka mbaruar. Për ato që do të them është e pamundur që këto element të mund t’i besohen një grupi pune që ka formimin, angazhimin, rolin, njohjen relative sikurse gjithkush prej nesh e ka. Depenalizimi i veprave është një çështje mjaft e rëndësishme dhe kërkon një opinion të gjerë. Depenalizimi i veprave, që janë hedhur për të provokuar një debat të gjerë dhe për fat të keq nuk janë pikasur cilat janë ato. Depenalizimi i veprave nuk është proces thjesht politik që mund të shtyhet dhe vendoset në një krah apo tjetër. Qëndrimi politik është vota e parlamentit dhe nuk ka dyshim për këtë. Elementët ligjore që përfshihen në këtë proces të mos neglizhohen, siç është frekuenca, e me radhë. Konsultimi publik na lejon të kuptojmë nëse do të shkojmë te depenalizimi apo jo.
Nëse kriminaliteti, ky është një pozicionim që krijon ndikim, influencë, në drejtësi, atëhere çështja që lidhet me depenalizimin duhet parë me një sy objektiv dhe të kujdesshëm. Ne si grup pune kemi menduar, që përveç atyre provokimeve që thashë, kemi menduar që në shumicën tonë dërrmuese apo unanime, këto vepra të penalizohen. Por diskutimi publik na lejon të shohim nëze është i drejtë apo jo. Nuk bëhet fjalë për sondazhe të rreme e dëshira, por për një sondazh real që na lejon të kuptojmë a ia vlen të penalizohet për shembull bigamia, pirja e alkolit në publik… Që janë çështje të thjeshta në pikëpamjen ligjore, por në pikëpamjen sociale janë shumë të rëndësishme. Ose eutoanazia që nuk është prekur në publik apo prostitucioni, edhe për këtë çështje nuk është folur fare. Diskutimi publik është mjaft i rëndësishëm”, tha Rakipi.
