Shpalli se do të dalë në pension këtë vit/Kush është ish rektori i Elbasanit me 46 vjet karrierë në arsim e studime

Bardhyl Musaj ka lajmeruar ne diten e 7 Marsit se do terhiqet nga karriera e perditshme universitare duke dale ne pension kete vit akademik. Ja çfare shkruan ai:
Të nderuar miq,
Kam kënaqësinë t’ju njoftoj se kam vendosur të dal në pension në përfundim të këtij viti akademik, pas një karriere 46-vjeçare në arsim. Ka qenë privilegji dhe krenaria më e madhe e jetës sime që kam patur fatin të punoj për arsimin, profesionin fisnik, një nga investimet më të çmuara për çdo komb.
Misioni i mësuesit dhe profesorit, përkushtimi maksimal, ndjenja e lartë e detyrës dhe ruajtja e standardeve më të larta, kanë qenë në qendër të rrugëtimit tim profesional. Karriera ime, që shtrihet gati një gjysmë shekulli, ka qenë lineare në ngjitje, pa kapërcime, e cila mbetet nga rastet e rralla në Shqipëri. E kam filluar mësues në fshat, më pas zv. drejtor shkolle, kam dhënë mësim në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, më pas metodist në Kabinetin Pedagogjik dhe inspektor arsimi në Elbasan. Më 1993 kalova në arsimin e lartë, pedagog, përgjegjës i Departamentit të Psikologjisë dhe Edukimit e më pas rektor i Universitetit të Elbasanit.
Kam patur privilegjin të punoj në role, detyra e funksione të ndryshme, nga bashkëdrejtor i edukimit në Projektin për Zhvillimin e Arsimit në Shqipëri (AEDP, 1997-2001), drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim Demokratik (CDE, 2001-2023), kryetar i Këshillit të Akreditimit për Arsimin e Lartë (2007-2014), anëtar i Komisionit të Arsimit Parauniversitar (1994-1996), më pas në Këshillin e Arsimit të Lartë dhe Shkencës (2006-2013) pranë ministrit të arsimit dhe këshilltar i kryeministrit (2009-2013). Kam shërbyer gjithashtu si deputet në Kuvendin e Shqipërisë (1996-1997).
Zhvillimi im profesonal pas viteve ’90 ka qenë tejet dinamik e intensiv, për shkak të nevojës për kapërcimin e prapambetjes së trashëguar nga e kaluara. Pjesë e këtij suksesi kanë qenë kualifikime, trajnime dhe bashkëpunime të shumta në Britaninë e Madhe (Uells, Angli e Skoci), Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mjaft vende të tjera të Europës e gjetkë.
Karriera më shpërblyese në aspektin intelektual dhe profesional ka qenë bashkëpunimi me disa organizata të huaja, në cilësinë e ekspertit, bashkëpunëtorit dhe konsulentit me status ndërkombëtar a lokal, të tilla si Banka Botërore, UNICEF, UNDP, ETF, Këshilli i Europës, GiZ, Save the Children, Plan Albania, CRS, IREX etj.
Kualifikimet dhe pjesëmarrja në aktivitete të shumta ndërkombëtare, më krjoi mundësinë të ndërtoj marrëdhënie bashkëpunimi me personalitete të arsimit botëror si Michael Fullan (Ontario, Kanada), Noel McGinn (Harvard, SHBA), Jim Wile (Ohajo, SHBA), Claudia Dybdahl (Alaska, SHBA), Lorin Anderson (Karolina e Jugut, SHBA), Brian O’Donnell (Ontario, Kanada), Charles Temple (Nju Jork SHBA), Donna Ogle (Çikago, SHBA), John Furlong (Oksford, Angli), Bob Moon (Universiteti i Hapur, Angli), George Hunt (Edinburg, Skoci), Norman Unrau (San Francisko, SHBA), Ronald Sultana (Maltë), Pavel Zgaga (Slloveni), Pasi Sahlberg (Finlandë-Australi) etj.
Fryt i tërë këtij investimi, janë edhe mjaft nisma që kam ndërmarrë për reformimin e sistemit arsimor, parauniversitar dhe të arsimit të lartë. Ndër to mund të përmend: koncepti për kurrikulumin (1994), sistemi i mentorëve (1995), kualifikimi në distancë i arsimtarëve (KUALIDA, 1995), përvijimi i modelit për zhvillimin profesional të mësuesve (1998, 2010), zhvillimi i të menduarit kritik (1998), konceptimi i shkollës së autorëve teksteve shkollore (2000), menaxhimi i ndryshimeve në arsim (2004), matura shtetërore (2006), modeli i drejtimit të shkollës në konceptin e lidershipit (2011) e të tjera. Nismat e ndërmarra prej meje kanë qenë të mbështetura në doktrinë, në përvojat më të përparuara të kohës, në njohjen e terrenit dhe të parimeve të politikës arsimore. Këto janë arsyet që ato janë zbatuar me sukses në sistem, një pjesë e të cilave ende vazhdojnë, të tjera janë shformuar a ndërprerë, për arsye joprofesionale.
Kontribut kam dhënë edhe në fushën e botimeve profesionale, për mësuesit, studentët, drejtuesit e institucioneve arsimore dhe politikëbërësit. Ato libra mbushën zbrazëtinë që ekzistonte pas viteve ’90 duke përbërë një komplet dinjitoz dhe unikal me botime origjinale, përshtatje dhe përkthime, numri i të cilëve i ka kaluar 50. Koha i provoi të suksesshme, andaj janë të përdorshme edhe sot në hapësirën mbarëshqiptare dhe kjo përbën një nga krenaritë e mia në këtë fushë. Po ashtu kam shkruar kapituj në libra të botuar jashtë Shqipërisë si dhe artikuj në revista të huaja, të gjitha në gjuhën angleze.
Kontributi im në arsim përfshin edhe atë legjislativ. Kam punuar me përkushtim maksimal e ndjenjë të lartë përgjegjësie në hartimin e ligjit për arsimin parauniversitar (2012), i cili është nga të paktët ligje të miratuar me konsensus nga Kuvendi i Shqipërisë dhe kjo përbën një tjetër krenari.
Moto e pandërprerë e imja ka qenë ndryshimi, por në raste të shumta jam ndeshur me rezistencë, mungesë gatishmërie për të mos prishur rehatinë që në jo pak raste më kanë krijuar telashe. Gjatë tërë veprimtarisë kam krijuar jo pak cmirë, zhgënjim, kundërvënie agresive që kanë një arsye të vetme: i kam thënë gjërat hapur me synimin për të mirën e arsimit. Por, duke u fshehur pas diversitetit të mendimeve, kam zbuluar diversitet karakteresh. Ndërgjegjja qytetare dhe intelektuale ka mbetur tek unë më e fortë se instikti mbrojtës a konformist, situatat i kam përballuar me këmbëngulje e vendosmëri.
Një pjesë e konsiderueshme e veprimtarisë sime shtrihet në Kosovë, menjëherë pas luftës dhe ende vazhdon. Ndjej gëzim të papërshkruar kur shikoj tërë atë transformim që ka ndodhur këto vite, nga ajo situatë me të vërtetë rrëqethëse, ku arsimi për dhjetë vjet ishte zhvilluar në shtëpitë shkolla. Çmoj shumë përkushtimin e mësuesve e të drejtuesve, mbarë popullit të Kosovës, për përparimin e arsimit, ndonëse rruga drejt cilësisë është e gjatë dhe mbetet e vështirë. Kosovës i kam dhënë çfarë kam mundur, me sa kam mundur. Kosova është shtëpia ime e dytë, kam miq e bashkëpunëtorë të panumërt në të gjithë territorin. U jam falënderues e mirënjohës për respektin që tregojnë ndaj meje.
Maqedonia e Veriut, më pak Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi, kanë qenë të përfshirë në veprimtaritë e mia.
Me mirënjohje të thellë dua të falënderoj të gjithë ish nxënësit dhe studentët të cilëve u kam dhënë mësim në universitetet e Elbasanit, Tiranës, Korçës, Durrësit, Prishtinës dhe Europës Juglindore në Tetovë, mësuesit, profesorët, bashkëpunëtorët, punonjësit e arsimit me të cilët kam punuar gjatë këtyre viteve në përmbushjen e misionit. Po ashtu falënderoj dhe u jam mirënjohës të gjithë atyre individëve dhe institucioneve që më kanë përkrahur, mbështetur dhe kanë ndikuar në përparimin tim në karrierë.
Më duhet ta pranoj, se edhe pas 46 vjetësh, nuk është e lehtë t’i thuash lamtumirë auditorit. Por unë largohem me krenari për punën e madhe që kam bërë. Cilësia dhe dobishmëria e kontributit tim, nuk mund të vlerësohet prej meje, por prej atyre që e kanë prekur e provuar si edhe e brezave që do të vijnë më pas, kur në arkiva do të shfletojnë librat, artikujt dhe punimet e tjera të miat. Gjatë tërë karrierës sime nuk i kam dhënë rëndësi hapave që kam hedhur, por gjurmëve që kam lënë pas.
Dalja në pension nuk nënkupton ndërprerjen e aktivitetit. E shoh veten duke punuar sa të mundem. Nuk besoj se ka një moshë të caktuar për të ndërprerë punën. Prandaj edhe unë do të vazhdoj të jap kontributin tim, për sa kohë të kem aftësitë mendore e fizike, e kjo moshë mund të jetë 70, ndoshta 80, por edhe mund të jetë 90. Këto kufizime nuk ekzistojnë për mua.
Gëzuar ditën e Mësonjëtores!
Me respekt,
Bardhyl Musai
7 mars 2024