Shpallet “Non-grata” në SHBA Lefter Koka dhe politikani nga Peqini

Lefter Koka dhe Orlando Rakipi, nga Peqini, nuk do të kenë më mundësi të marrin vizë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas një vendimi që pritet të bëhet zyrtar nga Departamenti Amerikan i Shtetit së shpejti. Albanian Post e ka bërë me dije që një ditë më parë se dy deputetë të zgjedhur të Parlamentit të Shqipërisë nuk do të mund të shkojnë dot më drejt Amerikës dhe tashmë emrat po bëhen publikë.

Lefter Koka, fitoi mandatin e deputetit më 25 prill në qarkun e Durrësit. Mirëpo, më 1 shtator, vetëm 10 ditë përpara fillimit të punimeve të Kuvendit të ri, Koka dha dorëheqjen nga posti nëpërmjet një statusi në Facebook.

Karriera e tij politike ka nisur që në fillimvitet 2000. Ai ka qenë kryetar i Bashkisë Durrës fillimisht, në mandatin 2003-2007. Më pas, Koka, pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, do të bëhej ministër i Mjedisit në vitin 2013, në Qeverinë e parë të Edi Ramës, i cili bashkoi forcat me Ilir Metën asokohe në një koalicion të gjerë parlamentar.
Në shtator 2017, Koka do të merrte postin e deputetit nën siglën e LSI-së, por këtë herë do të qëndronte në opozitë.

Në zgjedhjet e 25 prillit, pasi nuk pranoi të digjte mandatin e tij me vendim partie në vitin 2019 – duke qëndruar kështu në Parlament – Koka iu bashkua socialistëve, ku mori edhe votat për të qenë pjesë e Parlamentit si deputet i qarkut Durrës.
Lefter Koka është një person, i cili i është afruar politikës nga bota e biznesit, duke zhvilluar një karrierë të shtrirë në dy dekada.
Orlando Rakipi ishte një emër i padëgjuar në politikën shqiptare deri më 25 prill. Ai ishte vendosur në një pozicion të pafavorshëm në listën e socialistëve në Tiranë, përkatësisht i 30-i.