Shkrumbohet nga flakët banesa, zjarrfikësit shpëtojnë të moshuarën

Një apartament është përfshirë nga flakët këtë të hënë në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër.

Sipas Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSh) Gjirokastër, ngjarja është raportuar rreth orës 17:49 nga Policia e Shtetit, pasi zjarri kishte përfshirë katin e parë të një pallati.

Menjëherë në vendngjarje është nisur një automjet zjarrfikës me efektivët përkatës.

Gjatë ndërhyrjes u konstatua se brenda banesës ndodhej një e moshuar, 83 vjeçe, e cila ishte e asfiksuar dhe e pamundur të dilte vetë nga banesa e përfshirë nga flakët.

Shërbimet zjarrfikëse ndërhynë me shpejtësi, duke bërë të mundur nxjerrjen e të moshuarës dhe transportimin e saj drejt urgjencës për marrjen e ndihmës së parë.

Operacioni vijoi me neutralizimin e flakëve dhe vendosjen e zjarrit nën kontroll, duke shmangur përhapjen e tij në banesat përreth.

Si pasojë e zjarrit, banesa pësoi dëme materiale.