Shkrumbohen banesat në Qerret të Labinotit/ Familjarët bëjnë apel për ndihmë

Flakët e zjarrit shkrumbojnë banesat e dy vëllezërve, Xhemal dhe Ibrahim Isaku në Qerret të Labinotit Mal.

Dy familjet me 9 anëtarë tashmë ndodhen në qiell të hapur. Zjarri ka shkrumbuar gjithçka, por për fat pa dëmtuar asnjë prej anëtarëve të familjeve.
Në vendngjarje kanë mbërritur zjarrfikësit, por për shkak të distancës zjarri ka shkrumbuar banesat dhe familjarët nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë, madje as drithin me të cilin ushqehen.

Pranë tyre ka qenë edhe deputeti i zonës Qani Xhafa.
Me lot në sy Xhemal Isaku dhe bashkëshortja e tij apelojnë për ndihmë. Ata tregojnë se nuk kanë mundur të shpëtojnë asgjë dhe se tashmë kanë mbetur vetëm me rrobat e trupit.
“I bëj apel për ndihmë shtetit e kujt të ketë mundësi të na ndihmojë. Nuk arritëm të shpëtojmë asgjë, mbetëm në qiell të hapur. Gjendjen ekonomike e kemi shumë të dobët, s’kemi asnjë të ardhur”- shprehet kryefamiljari.

Gjithashtu i moshuari Imer Isaku, baba i dy djemve që pësuan fatkeqësinë, është mjaft i dëshpëruar nga ajo që ka ndodhur. Me fjalë prekëse ai apelon për ndihmë.
“Ç’e dua jetën unë tani! Më mirë të kisha ikur”- shprehet i moshuari mes lotësh.

Deputeti i zonës, Qani Xhafa shprehet se janë dy familje prej 9 anëtarësh të mbetur në qiell të hapur.
Ai i ka bërë thirrje bashkisë të ngrejë komision për vlerësimin e dëmit dhe kompesimin e familjeve gjithashtu edhe emergjencave civile që të sistemojnë familjet në dy çadra deri në ndërtimin e banesave të reja.

Bashkia nga ana tjetër ka bërë të ditur se për rastin në fjalë ka ngritur një grup pune për të vlerësuar dëmin dhe për të ndihmuar familjet.