Shkelje mjedisore në Bradashesh, dënohet me 3 milion lekë dhe shpallet në kërkim administratori i një subjekti ndërtimi

Elbasan – Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin E. R., 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi në subjektin që ai administron për ndërtim dhe konstruksione metalike, në fshatin Bradashesh, u konstatuan mbetje skrapi të patrajtuara sipas legjislacionit në fuqi. Kontrolli u ushtrua në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ndërsa për shkeljet e konstatuara u vendos masë administrative prej 3 000 000 lekësh. Po punohet për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.