Dy persona janë arrestuar në Berat, pasi dyshohet se mbanin kanabis për ta shitur pranë shkollave . Gjatë dy fazave të operacionit policor të koduar “Perimetri”, në Kuçovë dhe në fshatin Moravë, u sekuestruan mbi 4 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike, një shumë parash dhe dy celularë. 3.95 kg kanabis e ndarë në doza u gjenden në banesën e një 46 vjeçari në Kuçovë ndërsa në banesën e një 19 vjeçari në fshatin Moravë u gjetën sërish disa doza kanabisi dhe një shumë parash që dyshohet se është përfituar nga shitja e drogës.
Njoftimi i plotë i Policisë
“Finalizohen dy faza të operacionit policor të koduar “Perimetri”, për goditjen e 2 tentativave për të shitur doza Cannabisi, në afërsi të shkollave në Kuçovë dhe në Moravë.
Sekuestrohen mbi 4 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shumë parash dhe 2 celularë.
Vihen në pranga 2 shtetasit që mbanin me vete dhe në banesa sasi dhe doza të kësaj lënde, me qëllim shitjen.
Si rezultat i shtimit të vigjilencës, pranisë policore, punës operative dhe veprimeve hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie që cenon sigurinë e nxënësve dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme Operacionale dhe “Shqiponja”, pas hetimeve proaktive të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin A. G., 46 vjeç, të cilit, në banesë në Kuçovë, iu gjetën 3.95 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa (një pjesë, në doza), që dyshohet se posedohej me qëllim shitjen në afërsi të shkollave në Kuçovë;
Ndërkohë u vu në pranga shtetasi G. Ç., 19 vjeç, banues në fshatin Moravë, i cili u kap në flagrancë nga shërbimet e Komisariatit dhe të DVP Berat, ku gjatë kontrollit iu gjetën me vete dhe në banesë sasi dhe doza lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, si dhe një shumë lekësh e dyshuar e përfituar nga shitja e tyre.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.”




