Një objekt krejt i pafajshëm po shndërrohet në mjet modern vjedhjeje, me grabitësit që shfrytëzojnë momentin e befasisë së pronarit të një mjeti.
Vjedhjet e makinave evoluojnë vazhdimisht, bandat braktisin teknikat e ndërlikuara elektronike dhe po përdorin kurthe të thjeshta, të përditshme, që mund të mashtrojnë edhe drejtuesit më të kujdesshëm. Ndërsa shumë shoferë shqetësohen për dobësitë e sistemeve keyless, keqbërësit tregojnë se nganjëherë metoda më e efektshme është edhe më e thjeshta.
Së fundmi, në disa vende të Evropës janë regjistruar raste ku hajdutët përdorin një objekt që të gjithë e kemi në shtëpi ose në makinë: një shishe plastike uji. Thjeshtësia e saj është edhe arma më e madhe e këtij truku, pasi shumica e drejtuesve nuk do t’i kushtonin kurrë vëmendje, e aq më pak ta konsideronin të dyshimtë.
Sipas raportimeve, shishja e zakonshme plastike përdoret në një mënyrë të thjeshtë por shumë të zgjuar. Ajo vendoset mes njërit prej rrotave të pasme dhe harkut të gomës. Kur drejtuesi i pavëmendshëm ndez makinën dhe lëviz disa metra, rrota shtyp shishen, duke krijuar një zhurmë shumë të fortë.
Shoferi, i alarmuar nga tingulli, del menjëherë të kontrollojë rrotën e pasme për të parë çfarë ka ndodhur. Në nxitim e sipër, ai zakonisht harron çelësat në kontakt. Pikërisht atë çast, grabitësit që e vëzhgojnë nga afër futen në makinë dhe e marrin duke ikur përpara syve të tij.
Dhjetëra drejtues automjetesh në Evropë kanë rënë tashmë pre e këtij mashtrimi, ndaj policitë kanë ngritur alarmin dhe u kanë bërë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm.
Rekomandimi kryesor: para se të hyni në makinë, kontrolloni vizualisht zonën përreth rrotave dhe pjesën e jashtme të automjetit. Nëse vini re një shishe të futur mes rrotës dhe harkut, njoftoni menjëherë policinë, pasi hajdutët ka shumë gjasa të jenë fshehur vetëm disa metra larg.













