Emisioni investigativ “Fiks Fare” ka transmetuar denoncimin e një 50 vjeçareje, të cilës i kishin hapur disa faqe denigruese në rrjetin social “Instagram”.
Denoncuesja tha se bashkëjetonte prej 22 vitesh me një person, që më vonë e mësoi se ishte martuar. 50 vjeçarja tha se kishte 2 fëmijë nga martesa e parë, ndërkohë që me këtë bashkëjetues kishte edhe një vajzë 10 vjeçe. “Më kanë hapur disa faqe në ‘Instagram’, por policia nuk po i heton. Kam shkuar disa herë dhe sërish nuk e gjejnë autorin. Unë dyshoj se e ka bërë djali i bashkëjetuesit, i cili është 22 vjeç. Të gjithë e dinë në Peshkopi historinë tonë” tha ajo. Në atë kohë, Fiksi u interesua te Policia e Dibrës, ku oficeri Ramiz Alia tha se “ka prova për të hetuar këtë çështje”.
Ndërkohë, disa ditë më pas, vajza 10 vjeçare e denoncueses, kontakton me redaksinë e Fiksit dhe dërgon një mesazh zanor. “Përshëndetje. Mami im dje ka tentuar vetëvrasjen. E ka marrë në telefon oficeri dhe i ka thënë se çështja është mbyllur. U tmerrova kur e gjeta. Kemi shkuar në Spitalin e Dibrës dhe më pas në Tiranë. Aktualisht jemi në Tiranë. Kërkoj vetëm si e mbylli çështjen oficeri i policisë” do të deklaronte vajza e mitur.
15.00 janë njoftuar se në Spitalin Rajonal të Dibrës kishte shkuar për ndihmë mjekësore qytetarja. Dyshohet për shkak të konsumimit të një mbidoze ilaçesh.
Fiksi e pyeti policinë nëse ka nisur ndonjë hetim për “shkaktim vetëvrasje”. Në përgjigje, policia thotë se “janë kryer veprimet e para hetimore dhe vijon puna për të dokumentuar me prova ligjore rrethanat e këtij rasti”.
Fiks Fare siguroi vendimin e mosfillimit të çështjes, të firmosur nga prokurori Urim Kalia. Në datën 16 shkurt, vetëm 3 ditë pas denoncimit të 50 vjeçares, ai ka vendosur mosfillimin e hetimeve. Pra, për vetëm disa orë prokurori vendosi të mos e hetojë, pavarësisht se shkruan se gjykata duhet të vendosë për kërkesën ndaj kompanisë “META”. Por, pse nuk e kërkoi prokurori në gjykatë këtë kërkesë? Çfarë i kushtonte?
Më pas, prokurori shkuan se “s’ka ndërhyrje në të dhënat kompjuterike”. Sipas tij, ata që kanë hapur nuk kanë ndërhyrë në profilin egzistues të qytetares, por kanë hapur një të ri me fotot e saj. Por, megjithëse prokurori pranon se ka pasur fyerje, sharje, kërcënime dhe denigrim për 50 vjeçaren, sërish ai nuk pranoi t’i hetonte! Prokurori pranon se mund të jetë “fyerje” apo “ndërhyrje në jetën private”. Por këto vepra shkruan ai, duhet të ndiqen në gjykatë nga vetë denoncuesja! Pra, qytetarja duhet ti provojë akuzat ndaj të dyshuarve, duke marrë rolin e prokurorit.
Në këtë vendim, prokurori duket se shfajëson veten, pasi jep vetëm të dhëna teknike dhe citime nenesh të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale. Mungojnë dëshmitë e personave të dyshuar. Është vetëm kallëzimi i qytetares dhe një kqyrje e telefonit të saj. Përse nuk u pyetën të dyshuarit? Kush ndërhyri që ata të mos jepnin asnjë deklarim? Mungesa e hetimeve nga ana e oficerit të policisë dhe shpejtësia për të pushuar këtë çështje nga prokurori, sollën rëndimin e gjendjes psikologjike të denoncueses.













