Beograd, 18 Mars 2025 – Serbia ka reaguar me shqetësim pas nënshkrimit të një memorandumi trilateral për bashkëpunimin ushtarak mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë e ka cilësuar këtë iniciativë si një provokim dhe ka kërkuar një sqarim urgjent nga qeveritë e Shqipërisë dhe Kroacisë.
Memorandumi, i nënshkruar sot në Tiranë mes ministrit shqiptar të Mbrojtjes, Pirro Vengu, homologut të tij nga Kosova, Ejup Maqedonci, dhe ministrit kroat Ivan Anusic, synon forcimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, ngritjen e kapaciteteve ushtarake dhe mbështetjen për integrimin Euro-Atlantik.
Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme serbe, ky hap cenon stabilitetin rajonal dhe përfaqëson një strategji të drejtuar ndaj izolimit të Serbisë. “Ne presim një përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për synimet reale dhe qëllimet përfundimtare të kësaj loje të rrezikshme ushtarako-sigurie. Serbia nuk do të lejojë asnjë veprim të njëanshëm që mund të rrezikojë integritetin tonë territorial dhe sigurinë e qytetarëve tanë,” thuhet në reagimin zyrtar të Beogradit.
Serbia pretendon se bashkëpunimi ushtarak me Kosovën përbën një shkelje të rëndë të rendit juridik ndërkombëtar dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen në rajon. Autoritetet serbe kanë theksuar se, pavarësisht neutralitetit të tyre ushtarak, kanë qenë të hapura për bashkëpunim me Kroacinë dhe Shqipërinë, por përjashtimi i Serbisë nga kjo marrëveshje, sipas tyre, është një veprim provokues.
Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se ky memorandum nuk përbën kërcënim për askënd, por është një mesazh për ata që synojnë të destabilizojnë rajonin. Ndërsa ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.
Tensionet në rajon pritet të përshkallëzohen pas këtij zhvillimi, ndërsa Beogradi kërkon qartësi mbi synimet e këtij bashkëpunimi mes tre vendeve.
