Sekuestrohen rreth 1 milion euro të padeklaruara në pikëkalimin kufitar Merdare

KOSOVA- Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 1 milion euro të padeklaruara në Pikëkalimin Kufitar Merdare. Sasi e madhe e parave është zbuluar përmes paisjes së skanimit. Ata kishin qenë të fshehura në një automjet.

Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X, ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij.

Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth një milion euro. Ende nuk dihet prejardhja e tyre, ndërsa autoritetet po hetojnë më shumë mbi rastin.

Njoftimi i plotë:

Sot, më 24 shkurt 2026, në pikëkalimin kufitar Merdare, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë selektuar një automjet për kontroll të detajuar, në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës, bazuar në analizën e riskut dhe procedurat standarde operative.

Automjeti fillimisht është kontrolluar përmes pajisjes së skanimit me rreze X (X-Ray), ku janë identifikuar indikacionet e para për ekzistimin e një hapësire të dyshimtë të modifikuar në dyshemenë e tij. Pas këtyre indikacioneve, Dogana e Kosovës ka kërkuar asistencë nga zyrtarët e Policisë Kufitare, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike përmes pajisjes fibroskopike.

Gjatë kontrollit të përbashkët, dyshimet e ngritura nga skaneri janë konfirmuar me zbulimin e mjeteve monetare të padeklaruara, të fshehura në një hapësirë të improvizuar brenda automjetit. Sipas vlerësimeve fillestare, shuma e mjeteve monetare dyshohet të jetë rreth 1,000,000 (një milion) euro.

Njësitë hetimore të Doganës kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Prokurori kompetent është njoftuar dhe, në koordinim me të, po ndërmerren veprime të mëtejme hetimore në përputhje me autorizimet ligjore.

Dogana e Kosovës thekson se përdorimi i teknologjisë së avancuar të kontrollit, si skanerët X-Ray, mbetet një nga mjetet kyçe për zbulimin e rasteve të kontrabandës dhe parandalimin e veprimtarive të kundërligjshme financiare.