DURRËS- Moti i keq ka përshirë pjesën më të madhe të vendit duke shkaktuar përmbytje në disa segmente rrugore të vendiy. Në Durrës rrugët pranë stadiumit të qytetit dhe te zona e ‘Vollgës’ janë nën ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e makinave dhe këmbësorëve.
Prurjet e paparashikueshme nga lumenjtë anësorë dhe reshjat kanë rritur gjithashtu nivelin e ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Ndërkohë, mësohet se, vijojnë shkarkimet e ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës.
Sipas të dhënave nga Bashkia Shkodër dhe Shtabi i Emergjencave në Prefekturë, nuk ka rrezik për përmbytje. Hidrocentrali i Fierzës ndodhet aktualisht në kuotën 280 metra, nga 296 metra që është kapaciteti maksimal i lejuar, duke vijuar operimin në parametra konstant. Po kryhet monitorim periodik i niveleve të lumenjve Drin e Bunë, si edhe i Liqenit të Shkodrës dhe këto kuota të regjistruara deri në këto momente nuk paraqesin rrezik për përmbytje













