Rritja e zjarreve në landfillet në Shqipëri – Një shqetësim i madh për mjedisin dhe shëndetin publik

Në Shqipëri, venddepozitimet (landfillet), sanitare apo jo, vazhdojnë të jenë mënyra kryesore për trajtimin përfundimtar të mbetjeve. Megjithatë, vitet e fundit është vënë re një rritje shqetësuese e zjarreve në këto vende, të cilat shkaktojnë emetime të dëmshme dhe ndikime negative për mjedisin dhe shëndetin publik.

Më 1 korrik 2025, landfilli i qytetit të Elbasanit u përfshi nga një zjarr me përmasa të mëdha, duke shkaktuar çlirimin e ndotësve të rrezikshëm në atmosferë. Një ekip ekspertësh nga Co-PLAN Institute for Habitat Development dhe Milieukontakt Albania monitoruan situatën në terren dhe vlerësuan ndikimet në cilësinë e ajrit.

Matjet e kryera treguan nivele të larta ndotjeje, që përbëjnë rrezik serioz për shëndetin dhe mjedisin:

Dioksidi i karbonit (CO₂): 521–794 ppm (norma normale ~350 ppm), tregues i djegies së pakontrolluar të materialeve organike.

Metani (CH₄): 5–8 ppm, shumë mbi nivelin normal 1.8 ppm, duke sinjalizuar aktivitet të dekompozimit anaerobik dhe rrezik shpërthimi.

Dioksidi i azotit (NO₂): deri në 331 µg/m³, mbi kufirin e lejuar nga Bashkimi Europian (200 µg/m³ në 1 orë ekspozim), me rrezik për sistemin respirator të banorëve.

VOCs (Lëndë Organike të Avullueshme): deri në 6,800 µg/m³, duke tejkaluar kufijtë e BE-së dhe duke paraqitur rrezik toksik dhe kancerogjen, si dhe ndikim në formimin e ozonit në nivelin e tokës.

PM 2.5 dhe PM 10: nën kufijtë e lejuar, por pranë një zjarri landfilli, mund të jenë të rrezikshme për personat me probleme respiratore.

Ky rast nuk është i izoluar. Landfilli i Vlorës ka pasur zjarre të përsëritura ndër vite, duke u bërë një problem i vazhdueshëm mjedisor dhe shëndetësor që kërkon ndërhyrje të menjëhershme dhe masa efektive për menaxhimin dhe kontrollin e tyre.

Projekti Green-AL, i financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (Sida) dhe zbatuar nga Co-PLAN Institute for Habitat Development në bashkëpunim me VIS Albania dhe COSV Albania, me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Tiranë dhe partnerëve si Milieukontakt Albania, punon për adresimin e këtyre sfidave dhe për përmirësimin e menaxhimit të mbetjeve në vend.