Rritja e pagave për deputetët, Begaj: S’kam dhënë miratim paraprak, ligji kaloi me konsenus në Kuvend

TIRANË- Rritja e pagave u komentua ditën e sotme nga Presidenti Bajram Begaj. Gjatë konferencës së përbashkët me presidenten e Hungarisë, Begaj tha se ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave, ndërsa theksoi se ende nuk e ka pëlqimin për përmbajtjen ligjit

“Presidenti në fakt zbaton kushtetutën dhe ligjet e vendit. Nuk ishte vendim i deputetëve. Ishte ligj i miratuar në parlament, me shumicë dhe konsensus. Ligji në fjalë bëhet për të rregulluar piramidën e pagave, në administratë dhe pagat e magjistratëve. Presidenti ka dhënë sipas Kushtetutës pëlqimin paraprak që ky ligj të hyjë në fuqi pas dekretimit. S’kam dhënë pëlqimin për përmbajtjen e ligjit. Presidenti ka marrë kohë për të vlerësuar ligjin. Nuk është dhënë miratimi paraprak për ligjin, por për hyrjen në fuqi të ligjit në momentin e dekretimit”

Begaj dekretoi dy ditë më parë 3 ligjet për rritjen e pagave për deputetët, ministrat dhe administratës publike. Pas firmosjes së dekretit të Begajt, ligjet hyjnë në fuqi në mënyrë të menjëhershme. Ligji i ri është pjesë e strategjisë së qeverisë për të rritur pagën mesatare në vend nga 530 euro në 930 euro dhe përfitues të parë ka 130 000 punonjësit e administratës.

Në seancën e fundit parlamentare, të majtët dhe të djathtët bashkuan votat për të miratuar rritjen e pagave, vendim nga, i cili do të përfitojnë edhe 140 deputetët e Parlamentit si dhe ministrat e qeverisë.