Rritja e çmimeve për ushqimet nuk ka të ndalur. Në Cërrik, produktet bazë kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë përballimin e kostos së jetesës, sidomos për moshën e tretë. Qytetarët shprehen se me të ardhurat aktuale, veçanërisht pensionet, nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat më elementare.
“Çfarë të bëjë nëna me 90 mijë lekë? Do marr pensionin, do marr ilaçe për vete, do marr bukë, gjellë, do laj dritat, do laj ujin, do laj kanalorin, se flas me kalamajtë… çfarë do bëjë nëna me 90 mijë lekë? Po çfarë të bëj, hë? Ku do shkoj?! Çfarë të bëj? Me një bukë shkoj 5 ditë, çfarë të bëj, plaka. Shumë e vështirë është. Unë kam çunin, por çuni do iki, çunin e kam të sëmurë. Mishi 15 mijë lekë, merr pras aty, një grusht kripë, ha bukë me pras të mbushësh barkun. Të gjitha i kanë rritur moj nënë. Unë dua 50 mijë lekë ilaçe, çfarë do bëj me 50 mijë lekshin? Edhe këtu në Cërrik abuzojnë me rritjen e çmimit”, shprehet qytetarja.
“Shumë të shtrenjta, s’i përballon dot njeri. Ja shiko, të gjithë fukarenj. Populli i Cërrikut s’ka punë, ku të vejë, ku të mbyten njerëzit. Ja me borxhe. Shiko makinat, urdhëro njerëzit ku i ke, asnjë në kafe, asnjë në lokal. Shumë shtrenjtë, çdo gjë shumë shtrenjtë, jeta shumë e vështirë”, thekson një zotëri.
Pensionistët thonë gjithashtu se një pjesë e mirë e të ardhurave shkon për ilaçe, duke lënë shumë pak për ushqim.
“Kurrë nuk ia dal dot një pensionist me 90 mijë lekë. Nuk e di sesi bëjnë hall. Nuk ja dilet. Epo ai që ka ilaçe… shyqyr që s’kemi ilaçe ne. Unë me gjithë burrin nuk kemi ilaçe, kemi nga këto të thjeshtat, po kush ka detyrimisht…”, shprehet kështu një tjetër zonjë.
Një qytetare tjetër e moshuar thotë se: “Shumë shtrenjtë janë, nuk i marrim dot, trembem kur i shohim. I shikojmë e nuk marrim, ikim, hamë bukë me gjëra kështu kot. Shkojmë te gjërat e lira, ku të mos sëmuremi ne pastaj, prandaj shteti duhet t’ia vërë dorën në zemër.”
“Janë rritur shumë. Ai është privat, nuk ke çfarë i thua atyre, është privat ai. Herë ashtu, herë kështu.”
Kjo situatë nuk është vetëm në Cërrik por në të gjithë vendin. E ne këto kushte, qytetarët kërkojnë masa konkrete për të përballuar situatën, ndërsa theksojnë se jetesa për moshën e tretë po bëhet çdo ditë e më e vështirë. Euronews













