Rrëmbimi në Devoll/ Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda shkarkon kreun e Policisë së Korçës, pezullon zëvendësin pas pengmarrjes ku përfshihet vëllai i një deputeti

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Devoll, ku një 32-vjeçar u rrëmbye dhe u dhunua për disa orë, Policia e Shtetit ka marrë masa disiplinore ndaj drejtuesve lokalë të strukturave në qarkun e Korçës.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka shkarkuar nga detyra kreun e Policisë së Korçës, Erion Ahmeti, dhe ka pezulluar zëvendësdrejtorin për Hetimin e Krimeve, Hajri Kushe, deri në përfundim të hetimit disiplinor.

Sipas njoftimit zyrtar, një analizë e zhvilluar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë ka konstatuar “mospërmbushje të detyrimeve ligjore dhe menaxhim të papërshtatshëm të situatës” nga zinxhiri drejtues lokal, çka ka ndikuar negativisht në imazhin e Policisë në komunitet.

Ndërkohë, me urdhër të Ilir Prodës, Islor Islami, ish-drejtor i Policisë së Kufirit dhe Migracionit në Kukës, është caktuar përkohësisht në detyrën e drejtorit të Policisë së Korçës deri në përfundim të konkursit për drejtues vendor.

Një hetim disiplinor është hapur edhe për të gjithë zinxhirin komandues të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë dhe Komisariatit të Policisë Devoll.

Ngjarja në Devoll

Sipas Policisë, më datë 30 tetor, tre persona — Alti Nallbati (vëllai i deputetit të PD, Bledion Nallbati), Marsel Buci dhe Trajan Çeliku — kanë marrë me forcë nga banesa në fshatin Vishiocë të Devollit 32-vjeçarin Ilir Topçiu, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Sipas hetimeve paraprake, tre të dyshuarit e kanë transportuar Topçiun në një biznes privat, ku është keqtrajtuar dhe kërcënuar me jetë.

Të tre personat janë arrestuar dhe përballen me akuzat për rrëmbim personi, kanosje dhe dhunë fizike.

Qëndrimi i Policisë së Shtetit

Në deklaratën zyrtare, Policia e Shtetit thekson se “analizon me përgjegjësi çdo rast të mosveprimit profesional” dhe se do të vijojë hetimin disiplinor ndaj të gjithë punonjësve që kanë shkelur detyrimet ligjore, “duke marrë masa ndëshkimore në përputhje me Ligjin ‘Për Policinë e Shtetit’”.