Gazetari Hamdi Jupe, një nga themeluesit e PS, ka ndarë një rrëfim të trishtë gjatë viteve kur ka shërbyer shef kabineti i kryetarit të kuvendit, Servet Pëllumbi, për momentet e fundit të jetës së aktorit të madh Kadri Roshi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai tregon se në momentet e fundit të jetës, aktori ishte shtruar në Spitalin Ushtarak dhe kryetari Servet Pëllumbi me të marrë vesh lajmin, urdhëroi stafin që të përgatiteshin sepse do të shkonin menjëherë.
Gjatë takimit, aktori kërkoi që të gjithë të dilnin nga dhoma, duke dashur të fliste vetëm me Kryetarin e Kuvendit. Pasi mbetën vetëm, Kadri Roshi i bëri Servet Pëllumbit një lutje që ta ndihmonte t’i gjente disa para, pasi gruaja e tij kishte mbetur pa bukë në shtëpi.
Sipas rrëfimit të Jupes, aktori shprehu se nuk kishte frikë për veten, pasi e dinte që po i afrohej fundit, por ishte i shqetësuar për fatin e bashkëshortes së tij pas vdekjes.
Postimi i gazetarit Hamdi Jupe:
“Në mëngjes më thirri Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Servet Pëllumbi në zyrë. Punoja si shef i kabinetit të tij.
– Do të shkojmë për vizitë në Spitalin Ushtarak. Atje është shtruar i sëmurë Artisti i Popullit Kadri Roshi. Ka qenë aktor i madh prandaj meriton respekt – tha ai.
U nisa para tij për të takuar drejtorin e spitalit me qëllim që të ishte aty kur do të vinte Kryetari. Eskorta me Pëllumbin mbërriti në orën e caktuar.
Hymë në dhomën ku ishte artisti. Me ne, edhe oficeri i eskortës. Aktori ishte sistemuar i vetëm në dhomë për të qenë i qetë nga pacientët e tjerë. Pak fjalë përshëndetëse me të dhe papritur ai na u drejtua neve:
– Ju lutem, dilni pak nga dhoma ju, se kam një muhabet vetëm me Servetin. – Ai po fliste sikur Kryetarin e Kuvendit ta kishte vëlla. U habitëm nga fjalët e aktorit dhe vështruam nga Kryetari. Mirë ne të tjerët, po edhe drejtori – mjek i spitalit, duhet të dilte jashtë nga dhoma e pacientit!?
– Dilni, dilni – tha Kryetari. – Ne jemi burra të vjetër dhe kemi edhe ne sekretet tona. – Edhe për të ishte e papritur kjo kërkesë e aktorit, por nuk mund ta kundërshtonte.
Dolëm nga dhoma dhe po prisnim në korridor të habitur, derisa dera u hap dhe Kryetari na ftoi të hynim prapë. Qëndruam ca kohë aty, ndërkohë që Kryetari po bisedonte me aktorin dhe drejtorin për situatën e tij shëndetësore. Pastaj u kthyem në Kuvend.
Sapo kisha hyrë në zyrë, kur Kryetari më thirri të shkoja te zyra e tij. Më habiti kjo, sepse para pak minutash ishim bashkë në spital. Mos vallë kishte ndodhur ndonjë gjë e papëlqyeshme gjatë vizitës sonë atje (çështje protokolli) dhe tani po më thërriste për të më tërhequr vërejten për “pakujdesi në detyrë”? U ulëm të dy në kolltukun e gjatë të zyrës së tij. Kryetari heshti për pak çaste, pastaj hapi gojën.
– E more vesh përse ju nxori artisti nga dhoma juve?
– Jo, nga ta merrja vesh? – u përgjigja. – Ju e patë vetë atë që ndodhi, ne dolëm jashtë.
– Po – tha profesori, gjithnjë me një hije të rëndë trishtimi në fytyrë – Ai ju nxori juve jashtë dhe atëherë, kur ngelëm vetëm, më bëri mua një kërkesë të panatyrshme. – Kryetari mori frymë thellë, sikur të donte të thoshte diçka të rënde. – Më tha: “Të lutem, më ndihmo të gjej ca para, se e kam gruan pa bukë në shtëpi. Nuk po pyes për veten time, se e di që do vdes, po kam hallin e saj”.
Një rrëfim që tregon momentet e trishta të një aktori të madh që i dha aq shumë popullit shqiptar e që dhjetëra role e filma të tij kanë mbetur një trashëgimi e çmuar, por që shteti nuk u kujdes kurrë dhe e la në varfëri, ashtu si shumë artistë të tjerë.













