Rrëfimi i gjyshes pas arrestimit të drejtorit të shkollës në Pogradec: “Çupa na kishte thënë, ai njeri që bën këto gjëra, të varet”

“SYRI TV” ka siguruar dëshminë e gjyshes së nxënëses 14-vjeçare, e cila është ngacmuar seksualisht përmes mesazheve në telefon nga drejtori i shkollës në fshatin Stropckë.

Gjyshja rrëfen se vajza kishte vënë në dijeni edhe kujdestaren e klasës, lidhur me mesazhet.

“I ka shkruar çupës në telefon, çupa i kishte thënë kujdestares së klasës, kishte folur me ato pastaj e morëm vesh ne këtë gjë.

Ne atë ditë nuk e dinim fare, çupën e kishin marrë e kishin çuar në Pogradec.

Ne nuk e dinim pastaj erdhën na thanë që çupa shkoi në Pogradec. Nuk e di çfarë i shkruante, por llafe turpi. Kishte dy javë që shkruante me çupën.

Vajza na tregoi pastaj. Prindërit i ka në Greqi, ne kujdesemi për të. Shkuam  Shkuan bashkë në komisariat me çupën tjetër dhe babain e asaj. Dje na thirrën edhe djalin.

Ne nuk dalim dot përjashta për çupën. Shteti e di, ata njerëz që bëjnë këto gjëra, ta varin. Ka 3-4 vjet drejtor në këtë shkollë ndërsa çupa ka dy vite se ishte në Tiranë”,- tregon gjyshja.

Ngjarja e rëndë u bë publike ditën e djeshme në media. Adriatik Haxhillari, drejtori i shkollës 9-vjeçare në fshatin Stropckë, u arrestua nga policia pas denoncimit se ka ngacmuar seksualisht një 14-vjeçare.

59-vjeçari i ngacmonte prej dy javësh minorenet gjatë procesit mësimor, madje u dërgonte dhe mesazhe provokuese gjatë orëve të natës.