Reshjet e dendura të shiut shkaktojnë përmbytje në disa segmente rrugore në vend

Moti i keq që ka përfshirë pjesën më të madhe të territorit të vendit ka sjellë përmbytje në disa segmente rrugore, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.

Në qytetin e Durrësit, rrugët në afërsi të stadiumit janë mbuluar nga uji, duke u bërë të pakalueshme për këmbësorët dhe duke penguar lëvizjen normale të mjeteve. Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë situatën e krijuar pas reshjeve intensive.

Ndërkohë, reshjet e vazhdueshme dhe prurjet e shtuara nga lumenjtë anësorë kanë ndikuar në rritjen e nivelit të ujit në hidrocentralet e kaskadës së Drinit. Autoritetet përgjegjëse bëjnë me dije se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe gjatë ditës së martë vijojnë shkarkimet e kontrolluara të ujit nga hidrocentralet e Komanit dhe Vaut të Dejës, si masë parandaluese për menaxhimin e prurjeve dhe shmangien e rrezikut nga përmbytjet.