Reshje dëbore në zonat malore të qarkut Elbasan, qarkullim me zinxhirë në disa akse

Elbasan, 8 janar 2026

Reshjet e dëborës kanë përfshirë zonat malore të qarkut të Elbasanit, duke prekur disa komuna të bashkive Elbasan, Gramsh, Librazhd dhe Prrenjas. Sipas informacioneve, reshjet e dendura kanë nisur gjatë natës dhe vijojnë me intensitet në disa zona të thella malore.

Vëmendja kryesore është përqendruar në aksin kombëtar Elbasan–Qafëthanë, ku firmat e mirëmbajtjes po punojnë për të mbajtur rrugën të hapur. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, ndërsa në disa segmente lëvizja lejohet vetëm me zinxhirë.

Gjatë natës, zonat malore të Bashkisë Elbasan janë përfshirë nga reshje dëbore me intensitet të lartë. Aktualisht ka prani dëbore në fshatrat e njësive administrative Gjinar, Gracen, Labinot Mal dhe Funar.

Sa i përket akseve rrugore:

Rruga Elbasan–Gjinar është e kalueshme vetëm me zinxhirë, duke nisur nga fshati Shelcan.

Aksi Elbasan–Gracen dhe fshatrat e Gracenit janë të kalueshëm vetëm me zinxhirë; kalimi pa zinxhirë nuk lejohet.

Rruga Elbasan–Funar, si dhe rruga për në Labinot Mal, janë të kalueshme vetëm me zinxhirë.

Në të gjitha akset ku ka prani dëbore dhe ngrica po punohet për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve. Deri në këto momente nuk raportohet për situata emergjente apo problematika të mëdha nga reshjet e shiut, pavarësisht intensitetit të tyre.

Bashkia Elbasan u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë udhëzimet e strukturave përkatëse.