Raporti studimor: Mediat “harruan” privatësinë për ngjarje të lidhura me ekstremizmin e dhunshëm në Shqipëri

Nje raport studimi i realizuar nga organizata “Together for Life” bën një vëzhgim të detajuar të pasqyrimit të media të ngjarjeve që përfshijnë raste të ekstremizmit të dhunshëm, rekrutimit në organizata terroriste dhe luftës në Siri.

Analiza nis me arrestimin e imamëve të vetëshpallur, për të vijuar më tej me rastet e radikalizimit dhe rekrutimit të luftëtarëve për në Siri. Në këtë pikë vlerësohet roli i Qendrës Koordinuese Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm në dhënien e informacionit të saktë dhe në kohë.

Rasti tjetër, ku raporti konstaton shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e medias, është ai i vitit 2016, kur u mbajt ndeshja Shqipëri-Izrael, pas ndryshimit të lokacionit në momentin e fundit, për shkak të një sulmi terrorist, skenari i të cilit u zbulua vetëm pak para takimit.

Informacionet e publikuara nga mediat për ndalimet dhe arrestimet për ndeshjen e futbollit u bënë publike me emra dhe foto të atyre shtetasve pa marrë parasysh mbrojtjen e të dhënave personale. Arrestime të tilla zbuluan ekzistencën e rrjeteve të rekrutimit, por pavarësisht kësaj, media nuk arriti të bënte publike mekanizmat e punës, si informacione shtesë për shtrirjen dhe pasojat e aktiviteteve të këtij rrjeti, metodat e tyre të rekrutimit apo shtrirjen e individëve të përfshirë në këto aktivitete.

Informacionet e inteligjencës shqiptare dhe amerikane do të zbulonin në 2018 rrezikun e një sulmi terrorist në kampin e muxhahedinëve. Por në media u raportua vetëm informacion, i cilli kishte kaluar më parë filtrate e policisë, ndërsa u shmangën detajet taktike të sulmit.

Në të njëjtin vit, është rasti Kacifas në Bularat të Gjirokastrës.

Kjo ngjarje solli sërish në dritë betejën brenda medias shqiptare në lidhje me publikimin e informacionit adekuat kundrejt asaj se kush do ta publikojë lajmin i pari. Midis tyre (mediave) pati mendime dhe kritika se asnjë ngjarje nuk duhet të përdoret me dashje dhe/ose pa dashje për të përhapur informacione të deformuara vetëm për të mbërritur te publiku i pari, gjë që ka sjellë një dezinformim te qytetarët shqiptarë dhe grekë edhe sot për të vërtetën e ngjarjes.

Rasti i Alvinit, vogëlushi shqiptar që u kthye nga Siria, u raportua gjerësisht në mediat shqiptare dhe italiane në 2019. Por asnjëra prej tyre nuk ruajtën anonimatin e të miturit.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm që u shfaq në rastin e Alvinit ishte se si në programet investigative shqiptare ashtu edhe në ato italiane nuk u mor në konsideratë anonimiteti dhe mbrojtja e të dhënave personale të Alvinit si fëmijë. Imagjinata dhe zëri i tij u transmetuan publikisht nga të gjithë.

E njëjta gjë ndodhi me një grup të kthyerish nga Siria në 2021-shin. Kësaj radhe, mediave ua serviri pamjet vetë kryeministri përmes rrjeteve të tij sociale.

Skema ishte e njëjtë, ku pjesa raportuese e delegacionit shqiptar mbulonte çdo moment të procesit të kthimit dhe transmetohej në kohë reale. Së shpejti, foto/video me fytyra, emra, u publikuan dhe u transmetuan nga të gjitha mediat, pasuar nga intervista, emisione në mbrëmje, kronika.

Përtej pasqyrimit të lajmit, raporti kritikon mungesën e analizës në media të rrugëve përmes të cilave propaganda terroriste arrin objektivat.

Përgjithësisht, në Shqipëri, kur trajtohet tema e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, media i kushton shumë pak vëmendje analizës së saj mbi propagandën terroriste të përdorur dhe arsyes pse kjo propagandë tërheq ndjekës; a ka baza të përbashkëta për ndjekësit e tillë; cilat janë ndryshimet (nëse ka); prejardhja sociale e të rekrutuarve dhe rrethanat e tyre ekonomike dhe kulturore; dhe veçanërisht marrëdhëniet e tyre me familjen dhe shoqërinë. Këto pyetje dhe të tjera janë të rëndësishme për gazetarët dhe mediat e sotme pasi kanë përgjegjësinë për të informuar me saktësi publikun, ndërkohë që një detyrë e tillë është bërë edhe më e rëndë në epokën e dezinformimit dhe dezinformimit, kur publiku bie viktimë e informacionit “të rremë”. ndonjëherë edhe si rezultat i propagandës së prodhuar nga grupe ekstremiste apo terroriste.

Pavarësisht mangësive në mënyrën sin analizohen ngjarje të tilla, raporti konkludon se “mediat e analizuara nuk kanë përmbajtje editoriale që mund të klasifikohet si gjuhë urrejtjeje, përveç ripublikimit të deklaratave të politikanëve dhe personazheve publike që përmbajnë elemente të një fjalimi të tillë”.

Raporti thekson gjithashtu se rreziku për t’u shndërruar në një mjet propagande nga terroristi bëhet veçanërisht i dukshëm në rastet e publikimit dhe përsëritjes së imazheve dhe videove të përgatitura nga kanale të pakonfirmuara për gazetarët dhe organet e medias. Respektimi i dinjitetit njerëzor dhe e drejta për privatësi, veçanërisht kur lajmet trajtojnë imazhet e fëmijëve dhe të miturve, pasi ligjet në fuqi mbrojnë një kategori të tillë.