Rama thirrje: Aplikoni për drejtor bashkie në të gjithë vendin

Rama njofton se koncepti i ri i strukturës organizative i krijuar në bashkëpunim me Institutin Tony Blari, do të adaptohet edhe në bashkitë e tjera të vendit.

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot se bashkia e Durrësit, Shkodrës, Korçës, Dibrës, Fierit, Lushnjës dhe Elbasanit kanë hapur aplikimet për vendet boshe të drejtuesve të shkarkuar ditët e mëparshme .

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se Vlora ishte e para bashki që nisi me fazën e intervistave. Ndërkohë më tej bën me dije se në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë. Ky koncept i ri, shton Rama, do të adaptohet edhe në bashkitë e tjera të vendit.

POSTIMI I PLOTË:

Bashkitë Durrës, Shkodër, Korçë, Dibër, Fier, Lushnjë, Elbasan dhe një sërë të tjerash kanë hapur tanimë thirrjet publike për aplikime për prurje të reja në drejtimin e sektorëve të ndryshëm të veprimtarisë së tyre.

APLIKONI me kurajo dhe besim.

Vlora që nisi e para po ecën me fazën e intervistave të të interesuarve, ndërkohë që në bashkëpunim me Institutin Tony Blair është konceptuar një strukturë e re organizative e Bashkisë Tiranë, e cila do të adoptohet edhe në bashki të tjera, për të forcuar shtyllat bazë të mirëqeverisjes vendore.

Eshtë koha që bashkitë të fuqizojnë kontributet e tyre për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Në ditët e para të muajit korrik kryeministri Edi Rama bërë një vizitë të befasishme në bashkinë e Vlorës duke kërkuar shkarkimin e drejtorëve në këtë bashki për moskompetencë e që lidhej kryesisht me atë që e cilësoi më vonë si zaptimin e hapësirave publike.

Gjatë vizitës Rama u ka bërë thirrje deputetëve në largim e atyre të zgjedhur dhe drejtuesve vendorë të dalin në terren dhe t’ju japin zgjidhjeve problemeve të qytetarëve, duke i takuar nga afër. Gjithashtu ai iu ka dhënë ultimatum që brenda dy javëve të kenë gati raportin me punën e bërë.

Ndërkohë më 8 korrik Rama ka kërkuar dorëheqjen e drejtorëve të bashkisë së Fierit dhe Durrësit në institucionet që sipas tij nuk kanë përmbushur detyrën. Gjithashtu raportohet se ka shprehur kritika të ashpra për menaxhimin e hapësirave publike të zaptuara.

Po në këto ditë të para të korrikut 2025 nisi dhe një aksion në fshatin turistik Theth në veri të vendit për prishjen e ndërtesave pa leje. Në këtë rast Rama akuzon prokuroren Elsa Gjeli se refuzoi të hapte një çështje penale kundër një biznesmeni të kallëzuar nga Policia e Shtetit për ndërtimin e një fshati të tërë turistik pa asnjë leje.

Ai theksoi se lugina e Thethit do të pastrohet nga betoni dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme. Gjithashtu Rama ka deklaruar se i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të paraqesë një kërkesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për shkarkimin e saj.