Rama njofton rikthimin e tavolinave në trotuare, por me një plan të ri!

Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook, ka dhënë detaje mbi ecurinë e aksionit për lirimin e hapësirave publike, si dhe për projektet e reja urbane që do të transformojnë qytetet shqiptare.

Kreu i qeverisë shprehet se vetëm në Tiranë sipërfaqja e çliruar arrin 20 mijë metra katror, teksa thekson se puna do të vijojë në të gjitha qytetet, në zonat bregdetare dhe zonat e mbrojtura.

“Sipas planit të punës vetëm në Tiranë arrin deri nesër në rreth 20 mijë metra katrorë sipërfaqja e hapësirave publike të çliruara, ndërkohë që puna nuk do të ndalet më as në kryeqytet, as në qytetet e tjera ku ka marrë kot ky fenomen dhe as në bregdet e në zonat e mbrojtura jo e jo…

Ndërkohë po punohet me projektet e Rilindjes Urbane 2.0 për të cilën janë angazhuar shumë arkitektë të huaj e vendas.

Ndërsa për vendosjen e tavolinave jashtë, së shpejti do t’u jepet të gjithëve plani i ri, me formulën bazë 75% të hapësirës këmbësorët 25% njësia e shërbimit. Dhe nuk do të lejohet asnjë lloj strukture e ndërtuar në trotuare, përveçse në rastet e hapësirave të bollshme e vetëm atje ku ka një projekt të mirëfilltë urbanistik”, shkroi Rama në rrjetet sociale.