TIRANË- Kreyministri Edi Rama, ka njoftuar se nga viti 2026 do të zbatohet praktika e indeksimit vjetor të pagave për punonjësit e administratës, si qendrore ashtu edhe vendore. Me anë të një video-mesazhi në Facebook, Rama thekson se 10600 punonjës shërbimi do të përfitojnë me 10 mijë lekë të reja në muaj, ndërsa për specialistë e administratës publike rritja do jetë 5 mijë lekë të reja dhe mësuesit 3 mijë lekë të reja në muaj.
Ndër të tjera, Kryeministri nënvizoi se do të ketë përfitime në bazë të përllogaritjes vjetore të punës në sektorët e Shëndetësisë dhe policisë.
“Kemi një lajm tjetër shumë të mirë në projektbuxhetin e vitit 2026, i cili është fillimi i praktikës së indeksimit vjetor edhe për punonjësit e sektorit publik, qoftë në nivel qëndror, vendor të cilat do të korrektohen çdo vit. Kjo është një politikë e re pagash që e kombinuar me rritjen ne përgjithshme si rezultat i rritjes së pagës minimale, i shton gati 100 mln euro qysh në vitin 2026, shumës që mandati i katërt do të vejë në dispozicion të rritjes së fuqisë blerëse të të gjitha kategorive shoqërore.
Kështu konkretisht 10600 punonjës shërbimi do të përfitojnë me 10 mijë lekë të reja në muaj, për specialistë e administratës publike, rritja do jetë 5 mijë lekë të reja, mësuesit 3 mijë lekë të reja në muaj. Në sektorin e Shëndetësisë, do të fillojë përllogaritja e vjetërsisë në punë. Do të ketë rritje për vjetërsinë në punë edhe për sektorin e policisë. Tani më Shqipëria është në një nivel tjetër dhe ky fakt do bëhet çdo vit dhe më i prekshëm. Ata që na dhanë besimin me 83 mandate meritojnë çdo vite më shumë dhe do të kenë çdo vit e më shumë”, tha Rama













