TIRANA- Gjykata Kushtetuese pritet të vendosë sot nëse do të pranojë për shqyrtim kërkesën e qeverisë që kundërshton pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i ministres dhe zëvendëskryeministres, masë e vendosur më parë nga GJKKO. Vendimi paraprak ishte planifikuar për ditë më parë, por u shty për datën 2 dhjetor.
Procesi u vonua për shkak të largimit të gjyqtares Holta Zaçaj nga trupa gjykuese, e cila u zëvendësua nga Asim Vokshi. Me këtë ndryshim, gjyqtarja Marsida Xhaferllari, kërkoi kohë shtesë për t’u njohur me dokumentacionin e çështjes “Balluku”, duke çuar në shtyrjen e shqyrtimit.
Në të njëjtën ditë, gjykata mund të marrë vendim edhe për kërkesën e qeverisë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së deri në shqyrtimin e plotë të çështjes.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria./











