Rama: I gjithë vendi do mbulohet me kamera sigurie. Prindërit dhe drejtoria do kenë akses në video-regjistrimet e shkollave

Kryeministri Edi Rama dhe njëherë u është drejtuar të gjithë ndërtuesve pa leje duke bërë me dije se tashmë e gjithë Shqipëria do të mbulohet në çdo cep me kamera sigurie për të evidentuar në kohë reale çdo shkelje të ligjit.

“Vetëm në këtë periudhë, është dhënë mesazhi që sado të madh ta kesh emrin në botën e ndërtimin dhe pallatin me shkelje, shteti është më i madh se ty dhe ti nuk e gëzon dot.

Sepse deri dje, i shikonin vetëm avllitë, një burrë 90 vjeç përfundoi në gjykatë si ndërtues pa leje për një riparim matanë Dajtit. Sesi e gjeti policia këtë kriminel në një vrimë matanë Dajtit, do ishte për medalje ari nëse do të kishte mbetur vetëm ajo e atij. Ndërkohë në mes të Tiranës, 4-5 kate pa leje të cilat do t’i gëzojë shteti e jo ai që i ka ndërtuar.

Transformimi teknologjik, një tjetër problem i madh. Na janë dashur muaj të tërë për të konkluduar në këtë sistem këtu, marrëveshjen më të rëndësishme për sigurinë me Emiratet e Bashkuara që tani më në fund u konkludua dhe që do të na japë mundësinë të kemi qytete inteligjente, mbulim me kamera inteligjente tërësisht nga rrugët, tek shkollat, brenda shkollës e klasës, për të na dhënë nivel sigurie të një standardi të lartë amerikan.

Rama tha se nëpër shkolla do të ketë një sistem video-regjistrimi brenda tyre.

Po kështu, pamjet do të mund t’i shikojnë edhe prindërit.

“Siguria më e lartë në shkolla ku do t’i vendoset drejtorive të shkollave dhe prindërve sistemi i regjistrimit për veprimtaritë brenda shkollës dhe do jetë i aksesueshëm në çdo rast nga Policia e Shtetit. Siguri më e lartë në mbrojtjen e territorit, plazheve, lumenjve, pyjeve përmes survejimit ajror me dronë dhe satelitorë, por na mungon edhe një komponent i fundit për ta bërë përfundimisht në kohë reale çdo cënim të territorit. Jo siç e kemi sot, që mund ta bëjmë në mënyrën periodike”, tha Kryeministri Edi Rama.