ELBASAN-Të moshuarit në Elbasan janë ndeshur me një rast të pazakontë dhe të përsëritur, ku ankohen për radhën që bëhet në Zyrën Postare nr.6 ku tërheqin pensionet. Sipas investigimit të Fiks Fare ajo që i shqetëson më shumë është se dhe atëherë kur u vjen radha nuk mbarojnë punë, se kanë mbaruar lekët në postë. Dhe kështu pritja zgjat me ditë dhe javë që këta të moshuar të tërheqin pensionet e tyre.
Pensionet ndahen nga data 1 deri me datën 26 të çdo muaji, ku çdo ditë është e ndarë sipas një grafiku ditor për ndarjen e këtyre pagesave. Në këtë grafik ditor është e përcaktuar se sa fond duhet të kenë posta në dispozicion, por mesa duket kjo gjë nuk është zbatuar nga kjo zyrë e postës.
Fiksi u interesua në zyrat ku bëhet kjo shpërndarje, punonjëset e sportelit thanë se radha ka ardhur nga fluksi i madh i njerëzve dhe se kjo gjë ndodh pasi posta mbulon një zonë shumë të madhe. Por asnjë nga punonjëset nuk pranon që të ketë pasur mungesa në shpërndarjen e pensioneve dhe se çdo gjë ka qenë korrekte nga ana e tyre.
Fiksi gjithashtu u interesua në drejtorinë e Postës së Elbasanit, ku morën një përgjigje nga shefja e shërbimeve Elvira Hoxha e cila tha se nuk ka pasur ansjë problematikë të tillë dhe se mohon që të kenë ndodhur vonesa në këtë postë.
Dhe pse Fiksi i pohon se janë të faktuara të gjitha ajo e refuzon dhe shpreh se nuk kanë të faktuar asgjë, pasi kjo postë punon rregullisht dhe është korrekte me klientët. Ajo shprehet se nuk ka pasur asnjë ankesë nga qytetarët dhe tani që Fiksi i referoi këtë problematikë do të merren masa dhe nuk do të ndodhin më këto probleme. Pra duhej Fiksi të referonte një problematikë të tillë pa të merreshin masa./Marrë nga Top Channel
