Shqipëria po njeh një interes të ndjeshëm turistik nga të huajt dhe trashëgimia kulturore është çelës për një turizëm të qëndrueshëm.
Muzetë dhe objektet e trashëgimisë kulturore në qytetet më të rëndësishme turistike të vendit në mungesë të vëmëndjes dhe investimeve nuk i përgjigjen këtij zhvillimi turistik.
Muzeu Arkeologjik i Durrësit është një nga më të rëndësishmit në Shqipëri, por vazhdon të mbetet i mbyllur që nga nisja e punimeve për rikonstuksionin e godinës më shumë se 2 vjet më parë, duke lënë kështu në hije historinë e një qytetërimi afro 3 mijë-vjecar.
Më i madhi në vend, një muze i përmasave të tilla numëron mbi 3 mijë artefakte, që dëshmojnë zhvillimin e qytetit nga antikiteti deri në mesjetë.
Punimet që nisën për riparimin e dëmëve që shkaktoi tërmeti i vitit 2019, ishin parashikuar të përfundonin brenda 17 muajve, por tejkaluan afatin. Godina e Muzeut Arkeologjik vazhdon të jetë e mbyllur, ndërsa nuk ka ende asnjë informacion se kur do të hapë dyert për vizitorët.
Durrësi, një nga qytetet antikë më të rëndësishëm në Mesdhe sa i përket historisë e arkeologjisë, vuan sot mungesën e një muzeu që do mund t’i dëshmonte turistëve kulturën e ndërtuar ndër shekuj e mijëvjecarë.
Marin Haxhimihali, profesor arkeologjie, thotë se Durrësi është tepër i rëndësishëm nga ana historike dhe trahsëgimia për t’u lënë në këtë gjendje.
“Durrësi është një nga qytetet antikë më të rendësishëm jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Mesdheun. Aty jeta ka filluar që thuajse 3000 vite më parë dhe ka vazhduar pa asnjë ndërprerje deri në ditët tona. Shumë kultura, shumë tradita ndërthuren në këtë qytet dhe është krejtësisht e pakuptueshme se si në vitin 2024 ky qytet kaq i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Europën, të jetë pa muze arkeologjik”.
Ai ngre shqetësimin e madh të shkatërrimit të trashëgimisë nga ndërtimet pa kriter që kanë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme pasurinë tonë arkeologjike. Haxhimihali thekson se një muze do të lehtësonte disi këtë plagë.
“Sikur të mos mjaftonte masakra që është bërë në 20 vitet e fundit, me ndërtimet ku sic dihet qartë janë sakrifikuar e masakruar monumente të rëndësishme, shtresa kulturore me dëme të pariparueshme për trashëgiminë kulturore, pra sikur të mos mjaftonin, këtyre i shtohet edhe mungesa e një muzeu. Të paktën prania e muzeut do mund të lehtësonte plagën që i është shkaktuar arkeologjisë në Durrës. Këtu nuk është fjala për një qeveri të caktuar sepse dëmet kanë qenë të vazhdueshme që nga viti 2000 e këtej.
Pra nuk është fjala për të vënë gishtin, por fakt është që nga njëra anë Durrësi përmendet në burimet historike, ka dëshmi të drejtëpërdrejta arkeologjike dhe nga ana tjetër nuk kemi asgjë të prekshme vec amfiteatrit i cili nuk është i pa gerrmuar tërësisht. Prania e një muzeu në Durrës është e domosdoshme”- shprehet ai.
Elbasani vuan gjithashtu mungesën e një muzeu arkeologjik. Në këtë qytet, të cilit nuk i mungojnë objektet historike e pasuritë arkeologjike që dëshmojnë një zhvillim të hershëm, e vetmja godinë që tërheq interesin e vizitorëve është ajo e muzeut etnografik, që pritet të restaurohet.
Elbasani mbetet një pikë ndalese për të gjithë turistët që vizitojnë Shqipërinë e megjithatë Muzeu Etnografik është i vetmi muze i hapur për qytetarët dhe vizitorët.
Pandi Suli, ish mësues historie thekson rëndësinë e muzeve në mbajtjen gjallë të kulturës dhe tejçimin brez pas brezi të saj. Sipas tij qyteti i Elbasanit është për të ardhur keq, pasi nuk ka asnjë muze historik apo arkeologjik që të dëshmojë vlerat kulturore të një qytetërimi qindra vjeçar.
“Nuk mjafton vetëm ky muze, Elbasanit i nevojitet muzeumi historik, po atje ka resort tani. Kjo është për të ardhur keq. Unë kam qenë mësues i historisë dhe gjeografisë dhe më vjen keq të dëgjoj se qytete si Berati, Lezha, Tirana përmenden për antikitet ndërkohë që Elbasani nuk zihet me gojë”- thekson Suli.
Për momentin në Elbasan të vetmet pika të vizitueshme nga turistët janë Muzeu Etnografik si dhe Bazilika Paleokristiane e zbuluar në gërrmimet e vitit 2007-të. Të gjitha materialet e zbuluara në Elbasan enden andej-këndej në ekspozime të rastësishme ose të magazinuara duke mos i dhënë mundësinë vizitorëve të njihen me pasuri të rëndësishme arkeologjike që rezervon Elbasani.
Ndërsa Durrësi e ka muzeun dhe pret ta restaurojë, Elbasani nuk ka në projektet e afërta një të tillë duke lënë kështu një qytet mijëravjeçar pa identitet dhe jasht tërheqjes turistike.
Përgatiti: Bardha Nergjoni, Edja Feçanji