Nënproduktet e qumështit të një prej kompanive më të mëdha në treg do të shtrenjtohen sërish prej të hënës së 6 qershorit. Përfaqësues të kësaj industrie thonë se kostot janë të larta dhe shumë prej kompanive rrezikojnë falimentin.
Një prej kompanive të përpunimit të qumështit ka lajmëruar rritje të çmimeve duke nisur nga 6 qershori.
Shkak janë kostot e larta me të cilat po përballet ky sektor vitet e fundit ku përfshihen shtrenjtimi i energjisë dhe karburanteve.
“Është një tërësi kostosh të shtuar, ku elementi kryesor është nafta, energjia elektrike dhe lënda e parë.”
Donjaldo Hoxha nga Industria e Përpunimit të Qumështit thotë se nëse nuk ndërhyhet disa prej kompanive rrezikojnë të falimentojnë.
“Nëse ne vazhdojmë në këtë ritëm dhe vazhdojmë me transferimin e kostove sikur thotë qeveria, ne nuk do të jemi të zgjedhur dhe nuk do të konkurrojmë në tregje, prandaj do të shkojmë drejt falimentit.”
Hoxha thotë se sektori i blegtorisë gjendet në vështirësi ndaj duhen marrë masa urgjente.
“Ne kemi kërkuar një mbështetje me 10 lekë për litër për çdo fermer e blegtor që dorëzon qumështin në pikat e grumbullimit. Kemi kërkuar një TVSH 6% të shitjes së qumështit, kur rajonin e ka në nivele të tilla.”
Rritja e mëtejshme e çmimeve sipas kompanive të përpunimit të qumështit do të paralizonte industrinë vendase, pasi në treg do të shiteshin më tepër produkte importi me çmim më të lirë.
