Qeveria shpall ditë zie kombëtare 2 nëntorin / Homazhet për Fatos Nanon, të dielën te Pallati i Kongreseve

Të dielën do të zhvillohen homazhet për liderin historik të Partisë Socialiste, ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili u nda nga jeta këtë të premte.

Ceremonia do të mbahet në Pallatin e Kongreseve ndërsa qeveria ka vendosur shpalljen e ditë Zie Kombëtare datën 2 nëntor.

Ish-kreu i Partisë Socialiste, 73 vjeç, ndodhej në reanimacion prej gati 1 muaji, në një spital në kryeqytet.

Nano u shkëput nga politika në vitin 2005 dhe ka qenë kryeministër gjatë viteve 1991, 1997-1998 dhe 2002-2005. Ai ishte themeluesi i Partisë Socialiste dhe kreu i parë i saj.

NJOFTIMI I KRYEMINISTRISË:

Shpallja e Zisë Kombëtare në nderim të të ndjerit Fatos Nano, ish-Kryeministër, udhëheqës dhe politikan i shquar

Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.

Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin.

Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.

Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë zhvillimit të ceremonialit shtetëror, do të transmetojë muzikë funebre.

Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore

Pallati i Kongreseve, Tiranë

• 08:30 – 11:00 – Homazhe publike
• 11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
• 12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës

Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë.