Qeveria ka miratuar sot vendimin për dhënien e një mbështetjeje financiare të menjëhershme për shtresat më në nevojë, si dhe skemën e re të kompensimit mujor për pensionet e ulëta dhe kategoritë e veçanta.
Vendimi, i cili hyn në fuqi për efektet financiare të vitit 2025, ndahet në dy kolona kryesore: bonusin e fundvitit (mbështetje financiare) dhe kompensimet e përhershme mujore të të ardhurave.
Bonusi prej 15 mijë lekësh (150 mijë të vjetra)
Qeveria ka vendosur të akordojë një shumë prej 15,000 lekësh si mbështetje financiare për vitin 2025. Kategoritë që do ta përfitojnë këtë shumë në llogaritë e tyre janë:
– Familjet dhe individët që trajtohen me ndihmë ekonomike.
– Fëmijët pa kujdes prindëror, të vendosur në familje kujdestare.
– Personat me aftësi të kufizuara.
– Individët me statusin e invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik.
– Individët me statusin e të verbrit.
– Ndihmësit personalë të përfituesve të pagesave të aftësisë së kufizuar.
Kompensimet mujore të të ardhurave
Përveç bonusit, vendimi përcakton edhe shkallën e kompensimit mujor (shtesë mbi të ardhurat) për ata që kanë pensione apo të ardhura të ulëta, duke marrë si referencë datën 31.12.2025:
Deri në 1,800 lekë/muaj, përfitojnë personat që kanë të ardhura mujore deri në 40,000 lekë.
Deri në 1,000 lekë/muaj, përfitojnë personat me të ardhura deri në 18,000 lekë në muaj.
Deri në 800 lekë/muaj, përfitojnë personat me të ardhura deri në 22,000 lekë në muaj.
Pensionet e invaliditetit (600 lekë/muaj), përfitojnë personat me pension invaliditeti që kanë të ardhura deri në 30,000 lekë në muaj.
Pensionet familjare (700 lekë/muaj), përfitojnë personat me pension familjar që kanë të ardhura deri në 18,000 lekë në muaj.













