Publikimi i tezës së Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, reagon Ministria: Nuk cënon aspak procesin dhe mbarëvajtjen e provimit

Vetëm 30 minuta pas nisjes së provimit u publikua teza e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, pas kësaj ka reaguar Ministria e Arsimit dhe Sportit. Në reagim thuhet se publikimi i tezës nuk cënon procesin e provimit të Maturës Shtetërore.

Gjithashtu në reagim thuhet se të 28 mijë maturantët vazhdojnë të qetë zhvillimin e provimit në përputhje me rregullat. Sipas Ministrisë për këtë proces janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e provimit.

Reagimi i plotë:

Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron se publikimi i tezës së provimit të maturës të Gjuhës Shqipe dhe Letërsi, pas nisjes së provimit, nuk cenon aspak procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Marurës Shtetërore.

Rreth 28 mijë maturantë, në 144 qendrat e provimeve në mbarë vendin vazhdojnë të zhvillojnë provimin e tyre në mënyrë të qetë dhe në përputhje me të gjitha standardet e sigurisë të përcaktuara në rregulloren e Maturës Shtetërore.

MAS dhe institucionet arsimore mbeten të angazhuar për të siguruar një proces transparent dhe të drejtë për të gjithë maturantët, duke u kujdesur që çdo shqetësim i opinionit publik të trajtohet me seriozitetin e duhur.

Në të njëjtën kohë, Ministria thekson se institucionet arsimore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e procesit të provimit dhe për të ruajtur integritetin e tij.

Suksese të gjithë maturantëve! Falënderime çdo mësuesi, administratori dhe monitoruesi të angazhuar në këtë proces të rëndësishëm të provimeve të Maturës Shtetërore.