Pse Kosova i rrit pensionet 20% dhe Shqipëria vetëm 4%? Ekspertja tregon arsyet

Kosova i rriti pensionet me 20%, ndërsa Shqipëria i indeksoi 4%. Krahasimi i këtyre dy shifrave ka nxitur jo pak debate në Shqipëri. Ekspertja Teuta Nunaj Kortoci tregon pse dy qeveritë aplikuan nivele të ndryshme rritje të pensioneve. Në një intervistë televizive, Kortoçi tha se skema e pensioneve në Shqipëri ka qenë gjithnjë deficitare.

Ndërsa Kosova, shtoi ajo, po zbaton një skemë të re ku përfshihen edhe pensionet private.

Ekspertja e ekonomisë shtoi se në Shqipëri, qeveritë nuk kanë punuar për rritjen e pensioneve, por vetëm për indeksimin herë pas here në shifra modeste.

“Skema e pensioneve në Kosovë funksionon ndryshe nga ajo në Shqipëri. Skema në Shqipëri është 100% shtetërore, nuk ka një kolonë të dytë private. Në Kosovë ka edhe pensione private. Para 1994 nuk ka patur term kontribute, njihej vetëm vjetërsia e punës. Në Kosovë është një skemë e re, shumë e mirë, ka mbledhur të gjithë përvojën. Dhe në këto 30 vite që funksionon skema e re, në Shqipëri skema ka qenë gjithnjë deficitare. Nuk është punuar që pensionet të rriten, por janë indeksuar dhe indeksimi nuk ka ardhur çdo vit por me periudha dhe në vlera të vogla”, tha ajo.