Në një kohë kur jashtë dyerve të Kryeministrisë dëgjoheshin thirrjet e protestuesve që prej 26 ditësh kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, brenda sallës së Këshillit të Ministrave miratoheshin vendime të rëndësishme për ekonominë dhe integrimin europian.
Gjatë një konference për mediat pas mbledhjes së radhës së qeverisë, ministrja Delina Ibrahimaj prezantoi vendimet e marra në këtë mbledhje ku theksoi se janë miratuar një sërë projektligjesh që synojnë rritjen e transparencës në tregjet e kapitalit dhe përmirësimin e klimës së biznesit në vend.
Mes vendimeve kryesore spikat projektligji për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare, i cili përafron legjislacionin shqiptar 100% me direktivat europiane, duke u dhënë zgjidhje afateve të pagesave mes tregtarëve.
Gjithashtu, Ibrahimaj bëri me dije se u miratua rritja e transparencës për ndërmarrjet shtetërore, bordet e të cilave tashmë do të përbëhen nga përfaqësues të pavarur, të zgjedhur nga komitete ad-hoc, duke lënë jashtë administratën publike dhe politikën.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe nxënësve të shkollave profesionale, për të cilët u vendos rritja e masës së bursave, si dhe iu hap rruga programit qeveritar për ushqimin në shkolla.
Megjithatë, fokusi i konferencës u zhvendos shpejt kur gazetarët e pranishëm tërhoqën vëmendjen te situata jashtë godinës. E pyetur për një koment mbi protestat që po zhvillohen poshtë zyrës së kryeministrit Edi Rama dhe thirrjet e vazhdueshme për dorëheqjen e qeverisë, të cilat dëgjoheshin qartë edhe në sfond, përgjigjja e ministres ishte e prerë.
Sipas saj, përgjigjja më e mirë ndaj këtyre kërkesave është puna e përditshme dhe numri i lartë i akteve të miratuara në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Duke theksuar se qeveria është në një “garë me veten” për të përmbushur një kalendar voluminoz detyrimesh deri në vitin 2027, Ibrahimaj e mbylli fjalën duke vënë theksin te vullneti i shumicës. Përballë zërave në shesh, ajo theksoi se mbi 800 mijë qytetarë kanë votuar për Partinë Socialiste dhe kryeministrin Rama, dhe ndaj kësaj mazhorance qeveria ka detyrimin historik për të çuar përpara rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
KOMUNIKIMI I MINISTRES IBRAHIMAJ
Cilat ishin vendimet që u morën në mbledhje?
Ibrahimaj: Lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, të cilat i japin më shumë transparencë të gjithë proceseve të bizneseve dhe më në detaj ne kemi miratuar projektligjin për transparencën e emetuesve të titujve.
Titujt janë një fushë përgjegjësie, emetimi i titujve është një fushë përgjegjësie e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe projektligji që ne sot miratuam, i cili është 100% i përafruar me direktivat europiane, përmirëson të gjithë fushën e tregjeve të kapitalit, e cila pa diskutim është shumë e rëndësishme në drejtim të një klime biznesi më të mirë për vendin dhe patjetër rrit transparencën për emetimin e titujve duke dhënë disa detyrime për emetuesit e titujve për sa i përket publikimeve të raporteve të tyre vjetore, por edhe të elementëve teknikë që lidhen me emetimin e titujve.
Nga ana tjetër, miratuam një tjetër projektligj të rëndësishëm që lidhet me pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore tregtare. Është një projektligj i cili lidhet me marrëdhënien që tregtarët kanë me njëri-tjetrin, është gjithashtu përafrim i direktivës europiane 100%. Nëpërmjet miratimit të këtij projektligji ka më shumë drejtësi në këto pagesa, pra në pagesat ndërmjet tregtarëve dhe në afatet në të cilat tregtarët do të duhet të përmbushin pagesat e tyre.
Së fundmi, ne miratuam gjithashtu një projektvendim i cili rrit gjithashtu transparencën dhe mirëmenaxhimin e ndërmarrjeve shtetërore. Është një projektvendim që lidhet me detyrimet që ne kemi për reformën e axhendave, një plan i përcaktuar ku ne kemi detyrime çdo gjashtëmujor për miratimin e akteve ligjore dhe nënligjore që i përkasin gjithë procesit të integrimit europian dhe janë gjithashtu të lidhura me të ardhura që Bashkimi Europian na jep me përmbushjen e këtyre objektivave.
Më konkretisht, vendimi që sapo kaluam është një vendim i cili shkon gjithashtu në drejtim të transparencës së mënyrës se si menaxhohen të gjithë këto shoqëri të cilat janë shoqëri shtetërore 100%. Nëpërmjet këtij projektvendimi, bordet e shoqërive shtetërore, pjesa më e madhe e bordeve, do të jenë të detyruar të kenë përfaqësues të pavarur.
Pra, jo përfaqësues të administratës publike, jo përfaqësues politikë, dhe këto përfaqësues do të zgjidhen nëpërmjet komiteteve të cilat do të ngrihen të përhershme, ku gjithashtu do të ketë përfaqësues të pavarur në përzgjedhjen e anëtarëve të bordeve.
Në fund fare, ne miratuam në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, një projektvendim i cili lidhet me trajtimin e studentëve. Nëpërmjet këtij projektvendimi, ne rrisim masën e bursave për të gjithë nxënësit e shkollave profesionale, por gjithashtu i hapim rrugën dhe programit i cili është pjesë e programit qeveritar për ushqimin në shkolla. Këto ishin projektvendimet, nuk e di nëse ka ndonjë pyetje.
Gazetarja: Zonja ministre, prej 26 ditësh tashmë protestohet në shesh, poshtë zyrës së Kryeministrit Edi Rama, kërkohet dorëheqja e tij dhe e gjithë qeverisë në fakt. Dhe ndërkohë që ju njoftonit vendimet e qeverisë, tashmë në sfond ka thirrje kundër qeverisë, ju kërkohet të jepni dorëheqjen të gjithë ministrat dhe qeveria. Keni një koment për këtë kërkesë të vazhdueshme dhe të artikuluar prej 26 ditësh tashmë nga sheshi?
Ibrahimaj: Përgjigjja ime në fakt tregohet me gjithë numrin e akteve që unë prezantova që kemi miratuar sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave. Ne jemi në një proces i cili kërkon diligjencë maksimale, kërkon vëmendje maksimale. Jemi në një garë me veten për Shqipërinë, për ta integruar atë në Bashkimin Europian.
Është një kalendar aktesh me një numër shumë të madh aktesh që ne do të duhet që të miratojmë brenda muajit qershor, brenda muajit dhjetor, brenda 2027-ës, të cilat do të na garantojnë që ne do të përmbushim të gjitha kushtet për anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Është një punë e jashtëzakonshme që qeveria dhe e gjithë administrata publike është duke bërë çdo ditë dhe çdo natë deri në orët e vona me qëllim që ne t’i përmbushim të gjitha kushtet dhe ky do të jetë prioriteti maksimal i kësaj force qeverisëse dhe i kësaj qeverie.
Dhe komenti tjetër që kam për të bërë është që pa diskutim unë shoh që janë një numër qytetarësh që janë duke thirrur me zë të lartë ndërkohë që unë jam duke folur, por që është një numër shumë i lartë qytetarësh, janë mbi 800 mijë qytetarë të cilët kanë zgjedhur Partinë Socialiste, kanë votuar për Partinë Socialiste dhe për Edi Ramën për drejtimin e vendit dhe ne i detyrohemi të gjithë atyre qytetarëve që të përmbushim të gjithë detyrat që ne kemi në drejtim të procesit të integrimit europian që është një proces historik për të ardhmen e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.




