Gjykata e Lartë lë në fuqi dënimin me 1 vit burg për ish-kryebashkiakun Edison Memolla

Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla, duke lënë në fuqi dënimin e dhënë më herët nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Memolla është dënuar me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2022. Sipas hetimeve të SPAK, ai ka ndërhyrë te punonjës të OSHEE-së dhe qytetarë për të ndikuar votën në favor të tij, përmes premtimeve dhe favorizimeve të paligjshme.

Pas vendimit të formës së prerë, të dhënë në shkurt të këtij viti, ai u vetëdorëzua në polici dhe aktualisht po vuan dënimin në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Rrogozhinë.

Në të njëjtën çështje janë dënuar edhe persona të tjerë, me dënime nga 1 vit deri në 1 vit e 4 muaj burg, disa prej të cilave janë konvertuar në shërbim prove.