A keni dëgjuar ndonjëherë se njerëzit përdorin vetëm 10% të trurit dhe se pjesa tjetër mbetet e pashfrytëzuar? Kjo ide është përsëritur për dekada me radhë, madje është bërë edhe temë e filmave dhe librave. Por, sipas ekspertëve, nuk ka asnjë bazë shkencore.
Psikologia Mary Spiller, pedagoge e lartë në Departamentin e Psikologjisë dhe Zhvillimit Njerëzor në Universitetin e Londrës Lindore, shpjegon se ky është një keqkuptim që vazhdon të mbijetojë, pavarësisht provave shkencore që e kundërshtojnë.
Një pjesë e origjinës së këtij miti lidhet me punën e Ëilliam James, një prej themeluesve të psikologjisë moderne. Në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, ai shkruante se njerëzit përdorin vetëm një pjesë të vogël të burimeve të tyre të mundshme mendore dhe fizike.
Me kalimin e kohës, kjo ide duket se është interpretuar gabimisht, duke u kthyer në pretendimin se vetëm 10% e trurit është në përdorim.
Një tjetër arsye që mund të ketë ndikuar në përhapjen e këtij besimi janë imazhet e skanimeve të trurit. Në disa prej tyre, zona të caktuara shfaqen më aktive, ndërsa të tjerat duken sikur nuk funksionojnë.
Por kjo nuk do të thotë se pjesët që nuk ndriçohen në imazhe janë joaktive. Sipas Spiller, këto pamje tregojnë thjesht zonat që kanë më shumë aktivitet në një situatë të caktuar, krahasuar me një situatë tjetër.
Në realitet, edhe zonat që nuk shfaqin aktivitet të theksuar vazhdojnë të kryejnë funksionet e tyre.
Një tjetër provë që rrëzon këtë mit është aktiviteti i trurit gjatë gjumit. Edhe kur flemë, truri vazhdon të punojë, duke përmbushur funksione të rëndësishme për organizmin.
Ai përpunon informacionin, merr pjesë në konsolidimin e kujtimeve dhe rregullon procese të ndryshme të trupit.
Ekspertja sjell në vëmendje edhe rastet e njerëzve që kanë humbur një pjesë të madhe të trurit për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale, por kanë arritur të vazhdojnë jetën dhe të kryejnë shumë prej funksioneve të zakonshme.
Kjo nuk do të thotë se ajo pjesë e trurit ishte e panevojshme. Shpjegimi lidhet me neuroplasticitetin, aftësinë e trurit për t’u përshtatur dhe për të riorganizuar funksionet e tij pas një dëmtimi ose ndërhyrjeje.
Zona të ndryshme të trurit kanë role të specializuara, si kontrolli i lëvizjeve, të folurit dhe shikimit, por në një masë të caktuar ato mund të përshtaten dhe të kompensojnë humbjen e funksioneve të tjera.
Përgjigjja e ekspertes është e qartë: ne përdorim të gjithë trurin, pothuajse gjatë gjithë kohës, edhe kur jemi në gjumë.
Pra, ideja se 90% e trurit tonë qëndron i papërdorur është një mit. Truri është një organ kompleks, ku zona të ndryshme bashkëpunojnë për të mundësuar gjithçka që bëjmë, nga lëvizjet dhe të folurit deri te kujtesa, emocionet dhe mendimi.
