Banorët e fshatit Kurdari, njësi administrative Suç, kanë protestuar sot para Bashkisë së Klosit kundër ndërtimit të një hidrocentrali në zonën e tyre. Ata e konsiderojnë ndërtimin një kërcënim serioz për jetesën e komunitetit, që sipas tyre mbështetet vetëm në bujqësi dhe burimet ujore.
“Pa ujë nuk ka jetë. Nëse ndërtohet HEC-i, ose na zhvendosni nga fshati, ose do të vdesim ngadalë”, u shprehën disa prej protestuesve, të vendosur të mos tërhiqen pa ndalur punimet. Ata kujtuan se ky nuk është reagimi i parë: më herët janë organizuar protesta edhe te vepra e marrjes së ujit, ku ka pasur përplasje me forcat e policisë.
Banorët kërkuan ndërhyrje urgjente nga Bashkia e Klosit për të pezulluar projektin, duke theksuar se HEC-i do të dëmtojë përfundimisht furnizimin me ujë të fshatit dhe do të ndikojë drejtpërdrejt në ekonominë e tyre bujqësore.
Ndërkohë, kompania që po ndërton hidrocentralin ka deklaruar se disponon të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe lejen për ndërtim që prej vitit 2019.
Pavarësisht kësaj, banorët paralajmëruan se protestat do të vazhdojnë deri në ndalimin përfundimtar të punimeve. Ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre për të jetuar në fshatin që u siguron jetesën.
