Protesta për rritjen e çmimit të ujit, si u shpreh Kryetari i Bashkisë lidhur me këtë çështje

Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak u zhvillua mes përplasjesh dhe debatesh, ku qytetarë sëbashku me këshilltarët opozitarë protestuan edhe njëherë vendimin për rritjen e çmimit të tarifës së ujit të pijshëm duke e konsideruar të paligjshëm dhe të pajustifikuar.

Anëtarët e djathtë të këshillit munguan edhe këtë herë në mbledhje ndërsa u përfaqësuan nga z. Bledi Himci dhe z. Zamir Muzhaqi të cilët kërkuan llogaridhënie në lidhje me mënyrën e marrjes së vendimit për rrritjen e tarifës së ujit të pijshëm nga ana e kryetarit të bashkisë Gledian Llatja dhe kryetarit të këshillit bashkiak me pretendimin se mazhoranca nuk e plotësoi kourumin .

Për herë të parë lidhur me këtë cështje erdhi edhe reagimi i kryetarit të bashkisë i cili teksa konsideroi të shëmtuar sjelljen e opozitës sqaroi edhe gjithë procedurat ligjore që janë ndjekur në marrjen e këtij vendimi.

“Pamë një shfaqje të shëmtuar të disa personave të cilët për disa arsyet e veta e kanë nënvlerësuar maksimalisht Këshillin Bashkiak dhe përpiqen t’a bëjnë pis Këshillin Bashkiak, por dhe Bashkinë e Elbasanit.
Ne para disa vitesh nuk kemi qenë dakord, unë i pari bashkë me anëtarët e Këshillit Bashkiak për të ngritur cmimin e ujit, sepse kishte mungesa në investime në qytet. Patjetër duheshin investime që edhe ne të krijonim bindjen që këto investime të krijojnë një stabilitet jo vetëm për humbjen në rrjet, jo vetëm për heqjen e linjave të dyfishta në zonat të tëra që ne kemi në Elbasan, por të jepnin një garanci që investimi i ujit të pijshëm 24 orë në qytetin e Elbasanit është i mundur.
Patjetër që edhe me rritjen që është propozuar nga Ujësjellësi dhe që miratohet nga Enti Rregullator i Ujit, dhe nuk miratohet nga Këshilli Bashkiak, dhe unë nuk e kuptoj pse anëtari i këshillit bashkiak gjatë të gjithë kohës e anashkaloi si procedurë ligjore. Këshilli Bashkiak i Elbasanit jep një mendim të vetin për propozimin që ka bërë Ujësjellës Kanalizime i Elbasanit dhe dhënia e mendimit pozitiv apo negative është një procedim që në fund merret në shqyrtim nga Autoriteti Rregullator i Ujit dhe nuk është Këshillit Bashkiak që e vendos. Nuk është e vërtetë, janë abuzime me dashekqësi për favorizim dhe për të penguar zhvillimin normal të qytetit dhe të bashkisë Elbasan”- sqaroi ndër të tjera ai.

Në fund të mbledhjes u miratua shpërndarja e paketës së ndihmës ekonomike për muajin qershor nga anëtarët e pranishëm si dhe pikat e tjera të rendit të ditës.