TIRANË- Policia e Shtetit ka dalë në një njoftim zyrtar, pas protestës kombëtare të opozitës e cila u zhvillua ditën e djeshme. Në njoftimin e tyre thuhet se në lidhje me këtë janë arrestuar 18 persona, janë proceduar penalisht 17 të tjerë dhe janë shpallur në kërkim dy protestues. Gjithashtu janë dëntuar 11 punonjës policie.
11 punonjësit e policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, kanë marrë mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, ka nisur procedimi penal për sekretarin organizativ të Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”.
Njoftimi i policisë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 37 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 17 dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie. Më datë 24.01.2026, rreth orës 17:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur;
-u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.













